Palestina bëri thirrje për presion ndërkombëtar ndaj Izraelit për të ndihmuar në sigurimin e vizitës së planifikuar të presidentit Mahmud Abbas në Rripin e Gazës.

Varsen Aghabekian Shahin, ministrja e Shtetit për Punët e Jashtme e Autoritetit Palestinez, tha për Anadolu se Palestina "po ecën përpara me planet për vizitën e presidentit Abbas në Rripin e Gazës".

Ajo bëri thirrje për presion ndërkombëtar ndaj Izraelit për të bërë të mundur vizitën, duke thënë: “Të gjitha vendet që janë të vetëdijshme për vizitën duhet të marrin pjesë në aranzhimet e saj dhe të ushtrojnë presion ndaj shtetit okupues. Shpresojmë që vizita të ndodhë”.

Shahin tha se një komitet palestinez ishte formuar për të lehtësuar dhe organizuar vizitën në enklavë, ku Izraeli ka vrarë më shumë se 40 mijë njerëz që nga një sulm ndërkufitar nga Hamasi tetorin e kaluar.

Wasel Abu Yousef, një anëtar i komitetit ekzekutiv të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), tha se Izraeli ende nuk e ka miratuar ose refuzuar zyrtarisht vizitën e paralajmëruar.

“Gjithçka që dëgjojmë për refuzimin është nga mediat izraelite. Ne po punojmë me zell që vizita të jetë e suksesshme”, tha ai për Anadolu.

Abu Yousef konfirmoi se disa vende, duke përfshirë shtetet arabe, evropiane dhe afrikane, si dhe Organizata e Bashkëpunimit Islamik, Liga Arabe dhe OKB-ja, janë kontaktuar për të ushtruar presion mbi Tel Avivin.

Javën e kaluar, faqja izraelite e lajmeve Walla, duke cituar dy burime të paidentifikuara, tha se ministri i Çështjeve Civile Palestineze, Husein al-Sheikh, i dërgoi një mesazh kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare izraelite Tzachi Hanegbi, duke kërkuar koordinim për vizitën e Abasit në Gaza përmes territorit izraelit, nga kufiri verior i enklavës, në vend të kalimit kufitar Rafah me Egjiptin.

Faqja raportoi se ministri i dërgoi gjithashtu një kopje administratës amerikane, duke i bërë thirrje asaj që t'i kërkonte Izraelit të lejonte vizitën.

“Nëse Abbas merr një përgjigje pozitive dhe bën vizitën, kjo do të ishte një fitore e rëndësishme politike mbi Hamasin dhe do ta lejonte atë të sugjeronte mundësinë e kthimit të Autoritetit Palestinez në Gaza”, tha faqja e lajmeve. Abbas e vizitoi Gazën për herë të fundit në vitin 2006.

Javën e kaluar, Abbas në një fjalim në parlamentin turk tha sekishte vendosur të vizitonte Gazën dhe Kudsin për të protestuar kundër luftës së Izraelit në enklavë./aa