Turistët që vizitojnë vendin tonë kanë mundësi të njohin destinacionet, eventet kulturore etj., nëpërmjet aplikacionit TEA (Tourism Events of Albania).

TEA është kalendari digjital i turizmit, është një platformë e mirorganizuar e programeve turistike, kulturore dhe artistike që u shërben turistëve që zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale përshtypjet e disa turistëve të huaj që po vizitojnë vendin tonë, dhe përdorin aplikacionin TEA si guidë digjitale.

“Çdo ditë mijëra turistë orientojnë udhëtimin e tyre në Shqipëri duke përdorur aplikacionin udhërrëfyes TEA”,u shpreh Rama.

Dy turistë të huaj të cilët mbërritën një ditë më parë në Shqipëri, tregojnë se ndodhen në Vlorë dhe përmes këtij aplikacioni po kërkojnë veçanërisht për udhëtim me anije dhe plazhe të bukura.

“Kemi tri ditë që po qëndrojmë në Vlorë. Kaluam kohë në plazhet e bregdetit të Vlorës dhe tani po presim të udhëtojmë me varkë, të eksplorojmë plazhe dhe gjire të tjera. Kemi shumë dëshirë gjithashtu të vizitojmë qytetin, si dhe vende të tjera në Shqipëri dhe për këtë arsye po përdorim TEA, një aplikacion i mrekullueshëm”, u shprehën dy turistë të tjerë.

Një turiste polake tha se ka ardhur nga Polonia që në 5 gusht dhe po kalon pushimet në Shqipëri. “Deri tani kam vizituar Sarandën, Gjirokastrën dhe tani Vlorën. Po kërkoja për evente që ka në Vlorë në aplikacionin TEA. Janë fantastike”, tha ajo.

Kalendari turistik i eventeve verore vjen edhe këtë vit i harmonizuar në aplikacionin TEA (Tourism Events of Albania).

Aplikacioni TEA është i aksesueshëm falas në të gjithë telefonat. Në aplikacion gjenden aktivitetet që ndodhin gjatë sezonit turistik në çdo kohë dhe në çdo vend. Mjafton të vendosësh vendndodhjen dhe aplikacioni do të nxjerrë rezultatet ku veprimtaritë do të jenë të dedikuara për të gjitha grupmoshat.

Ky kalendar turistik digjital është realizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit përmes Agjencisë Kombëtare të Turizmit në koordinim me institucione të tjera si Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe me të gjitha bashkitë e vendit./ata