Qyteti antik i Apolonisë, i ndodhur 12 km larg qytetit të Fierit, është një nga sitet më të mëdha të Shqipërisë, por edhe një nga qytetet e rëndësishëm të antikitetit.
Gjatë muajit gusht në këtë qytet antik po punon misioni arkeologjik shqiptaro-francez.
Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale bën të ditur se aktiviteti kryesor është përqendruar në studimin e materialit arkeologjik dhe të disa prej monumenteve të qytetit, siç janë fortifikimi dhe portat hyrëse si dhe “termat” e periudhës romake.
“Përdorimi i metodave multidisiplinore si survejimet gjeofizike, rilevimet topografike, si dhe fotogfametritë dhe ortofotot e realizuara pothuajse në të gjithë sipërfaqen e qytetit, kanë nxjerrë në dritë urbanizmin e plotë të Apolonisë së Ilirisë”, tha Rama.
Ky projekt jetëgjatë i Institutit të Arkeologjisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme Franceze dhe Shkollave franceze të Athinës (EfA) dhe Romës (EfR), me miratimin e IKTK – MEKI, është kontribuesi kryesor i njohjes së jetës mijëravjeçare të Apolonisë.
Apolonia është themeluar rreth fillimit të shek. të IV p.e.s., ndërsa rrënojat e Apolonisë janë zbuluar në fillim të shek. XIX. Në shekujt që pasuan, qyteti zhvilloi një kulturë të pasur dhe u bë një qendër e rëndësishme ekonomike dhe kulturore në rajon. Ai ndikoi ndjeshëm në zhvillimin e kulturës romake në Ballkan dhe Evropën Lindore.
Arkeologët e quajnë Apoloninë “Pompei i Shqipërisë”, pasi vetëm 10% e territorit të qytetit të dikurshëm është zbuluar deri më sot./ata