Pogradeci po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj, falë ofertës së plotë turistike që ofron.

Vitet e fundit oferta turistike e këtij qyteti po zgjerohet edhe nga rijetësimi i zonave rurale përreth tij, që me bukuritë natyrore dhe investime në agrobujtina, po zgjojnë interes të veçantë tek turistët për t’u vizituar.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga “Hani i Gështenjave”, një tjetër sipërmarrje agroturizmi ka hapur dyert në Qafë Plloçë të Pogradecit, ngritur në një pikë strategjike nga mund të shihet i gjithë qyteti dhe liqeni i Pogradecit.

“Mes natyrës përrallore të zonës, mikpritjes së ngrohtë pogradecare dhe ushqimit tradicional të gatuar me mjaft mjeshtëri, kjo bujtinë nuk duhet lënë pa u vizituar”, u shpreh Rama.

I rrethuar me bukuri natyrore, peizazh piktoresk, objekte historike dhe kulinari tradicionale kjo zonë ofron shumë mundësi edhe për turizmin e aventurës.

Agroturizmi është një mundësi e mirë për zhvillimin e kësaj zone, ku investimet në vepra publike, rrugë rurale, ujësjellës nuk mungojnë dhe bukuritë natyrore ruhen me fanatizëm nga banorët e fshatit./ata