Vetëm gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti kanë përfituar 5177 qytetarë nga aplikimi i lehtësive mbi rinovimin e Certifikatës së Aftësimit Profesional (CAP).
Kjo shifër e konsiderueshme përfituesish përkthehet në kohën e kursyer 113 894 ditë kohë pritje dhe afërsisht 559 milionë lekë të kursyera, falë uljes së kostove dhe rinovimit brenda ditës.
Rinovimi i Certifikatës së Aftësimit Profesional (CAP) për të gjithë drejtuesit e mjeteve të transportit rrugor të mallrave dhe të pasagjerëve, realizohet shumë më shpejt dhe shumë më lirë.
Më parë për të rinovuar CAP, drejtuesi i mjetit duhej të frekuentonte kurs rreth 30 ditë e më pas t’i nënshtrohej ritestimit teorik. Tashmë, ky proces i eliminuar, shmang tarifën 48 mijë lekë (e përllogaritur mesatarisht). Gjithashtu, nga 31 ditë që nevojitej përpara, me thjeshtimin drastik të këtij shërbimi, drejtuesi i mjetit e përfiton për 1 ditë kartonin e CAP pranë sporteleve të drejtorive rajonale. Kosto e rinovimit është ulur me rreth 86% nga 55 500 lekë mesatarisht (kursi 48 mijë lekë + vizita mjekësore 4 mijë lekë + kartoni i CAP 3 500 lekë) në 7 500 lekë (vizita mjekësore + kartoni CAP).
Certifikata e Aftësimit Profesional (CAP), është dokument personal, pjesë e dokumentacionit të qarkullimit të mjetit, e vlefshme vetëm për përdorimin e mjeteve të përcaktuara në kategoritë e shënuara të cilat në të gjitha rastet duhet të jenë në përputhje me kategoritë e lejes së drejtimit të mbajtësit të saj./ata