Monedha kombëtare, Leku, ka shfaqur një rritje të konsiderueshme të vlerës së saj kundrejt euros dhe monedhave të tjera.

Kursi mesatar i këmbimit të lekut kundrejt euros në vitin 2023 ishte në nivelin 108.7 lek/euro, nga mesatarisht 119.0 lek/euro gjatë vitit 2022. Kjo ecuri solli një forcim vjetor të lekut prej 8.7%.

Banka e Shqipërisë vëren se, forcimi i kursit të këmbimit buron nga përmirësimi i bilancit të shkëmbimeve tregtare e financiare me jashtë, që solli rritje të ofertës së valutës në tregun e brendshëm valutor.

BSH-ja bën të ditur se, në një regjim të lirë të kursit të këmbimit, sikundër aplikohet në Shqipëri, dinamika e kursit është funksion i raportit të kërkesës dhe ofertës për valutë. Në mungesë të ndërhyrjeve të autoriteteve publike, ky raport diktohet nga forcat e tregut dhe u përgjigjet trendeve ekonomike e financiare të vendit.

“Forcim i lekut reflekton konsolidim të ekonomisë shqiptare”, shprehet BSH-ja.

Në një analizë të thelluar të saj, Banka Qendrore vlerëson se, vlera pozitive e këtij raporti (lek/euro) tregon se flukset valutore të gjeneruara nga Investimet e Huaja Direkte (hyrje valute) janë më të larta se deficiti i llogarisë korrente (dalje valute).

Kjo dinamikë rezulton në një tepricë oferte në tregun vendas dhe në një mbiçmim të kursit të këmbimit.

“Në 9-mujorin e parë të vitit 2023, llogaria korrente ka rezultuar për herë të parë në histori në suficit. Në raport ndaj PBB-së, suficiti korrent vlerësohet në 0.2%, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, deficiti korrent ishte në masën 4.7% ndaj PBB-së. Ky zhvillim përfaqëson një përmirësim të shpejtë e të paprecedentë të bilancit të jashtëm të ekonomisë shqiptare, të nxitur nga përmirësimi strukturor i bilancit të shkëmbimeve tregtare në mallra dhe shërbime.

Ndërkohë që Investimet e Huaja Direkte qëndruan në nivele të larta, të vlerësuara në rreth 1.08 miliardë euro në 9-mujorin e parë, duke shënuar një rritje vjetore prej 10.6%”, thekson BSH-ja.

Gjithashtu vëren Banka Qendrore, forcimi i kursit të këmbimit të lekut ndaj euros është diktuar në masën më të madhe edhe nga forcimi i kursit real të këmbimit, që përfshin një tendencë konvergjence të pagave e të çmimeve midis ekonomisë shqiptare dhe asaj të Eurozonës, rritjes së eksporteve, turizmit, rritja e remitancave, (me bazë vjetore 14.2%)

Në këto rrethana, BSH sugjeron se, “ecuria e kursit duhet parë si pasqyrë e suksesit që kemi pasur në rritjen e eksporteve dhe jo si premisë e dështimit të tyre. Mbiçmimi i kursit të këmbimit ka pasur një efekt tërësor pozitiv për ekonominë shqiptare. Ky efekt është materializuar në uljen e inflacionit, në ruajtjen e fuqisë blerëse dhe të vlerës së kursimeve të familjeve, si dhe në kosto më të ulëta financimi për ekonominë shqiptare. Po ashtu, mbiçmimi i kursit të këmbimit ka ndihmuar qëndrueshmërinë e stabilitetit financiar, nëpërmjet mbështetjes së bilanceve të kredimarrësve në valutë dhe efektit pozitiv në nivelin e kredive me probleme”.

“Reagimi i Bankës së Shqipërisë ndaj zhvillimeve në kursin e këmbimit ka qenë dhe do të mbetet gjithnjë i orientuar nga respektimi i objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve dhe konsistent me regjimin e lirë të kursit të këmbimit të aplikuar në Shqipëri”, thekson në analizën e saj BSH-ja./ata