Norma e interesit të kredisë për bizneset ka shënuar një rritje të lehtë, gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.

Banka e Shqipërisë, publikoi raportin e vrojtimit mbi kreditimit ku bëri të ditur se, interesi për kreditë e reja në lekë për bizneset, u rrit në 6.8% nga 6.6% që ishte në tremujorin e parë dhe 6.7% vitin e kaluar.

Interesat janë rritur lehë tek të treja kategoritë ndonëse ishte kategoria e kredive mbi 140 milionë lekë ajo që ndikoi më shumë në muajt e fundit. Interesi mesatar për këto kredi arriti në 6.7% në tremujorin e dytë, nga 6.5% dhe 6.1% në tremujorët paraardhës, njoftoi BSH-ja.

Kategoria e kredive me shuma deri 35 milionë lekë, e cila përafron biznesin e vogël, ka regjistruar rritje minimale por të vazhdueshme që prej tremujorit të fundit të vitit të kaluar. Interesi për këtë kategori shënoi 7.7% në këtë tremujor. Kostoja e financimit për likuiditet afatshkurtër ka rezultuar në rritje ku interesat për overdraft dhe kapital qarkullues në tremujorin e dytë rezultuan 6.4% nga 6% në tremujorin e parë dhe 6.3% vitin e kaluar.

Në anën tjetër, norma e interesit për kreditë në euro të bizneseve, në tremujorin e dytë rezultoi në 7%, në të njëjtin nivel me tremujorin e parë dhe më lart se 6.6% e gjysmës së dytë të vitit të kaluar.

“Rritjet e normës bazë të interesit nga Banka Qendrore Europiane, vitin e kaluar, janë reflektuar plotësisht tek interesat e kredisë në euro tek bizneset”, bën të ditur BSH-ja./ata