Kryeministri Edi Rama u ndal sot te nevoja e nxitjes së diplomacisë ekonomike, ndërsa u shpreh se këtë vit shifrat në turizëm pritet të jenë më të larta se vitin e kaluar, ku Shqipëria priti 10 milionë turistë.
Gjatë Konferencës Vjetore të Ambasadorëve të Shqipërisë, Rama theksoi se sot Shqipëria është magnet që tërheq vizitorë nga gjithë bota.
“Vitin e shkuar arritëm të kemi 10 milionë turistë, shifra e këtij viti do jetë konsiderueshëm më e lartë dhe kjo nuk është një e dhënë në vetvete, por është një e dhënë, e cila reflektohet si të dhëna të tjera në zhvillimin e vendit, në rritjen e ekonomisë dhe të ardhurave, në rritjen e pagave”, shtoi ai.
Kryeministri nënvizoi se sot kemi një pagë mesatare në sektorin publik që është 900 euro dhe një pagë mesatare në sektorin privat që është ende më e lartë sesa ajo që thuhet.
“Është detyra jonë ta nxjerrim të tërën në dritën e një ekonomie të formalizuar. Kemi 10 mijë subjekte të reja që bëjnë biznes në Shqipëri duke u bazuar tek shifrat e gjysmës së parë të këtij viti krahasimisht me gjysmën e parë të vitit të shkuar. Gati 15 mijë të punësuar më shumë në 6-mujorin e parë të këtij viti”, shtoi ai.
Po ashtu, Rama theksoi se ka një rritje të investimeve të huaja me 15 % vetëm në 3-mujorin e parë të vitit dhe ka një interesim të madh për Shqipërinë, jo vetëm në aspektin e turizmit, por dhe në sektorët strategjikë të ekonomisë nga energjia tek telekomunikacionet, tek transporti, ndërtimi, e kështu me radhë.
“Të gjitha këto duhet të na thonë që stadi në të cilin gjendemi është plotësisht i favorshëm për të synuar hopin e madh përfundimtar dhe për ta vendosur më në fund flamurin tonë kombëtar në oborrin e BE në Bruksel”, theksoi ai.
Nga ana tjetër, Rama nënvizoi rëndësinë e rritjes së përmasës ekonomike të diplomacisë shqiptare.
“Sot është shumë më e lehtë të flasësh për Shqipërinë, sot është shumë më e lehtë të trokasësh dhe të ftosh njerëzit të vijnë në Shqipëri, sot është shumë më e lehtë t’iu thuash që Shqipëria është e gatshme t’i presë, jo vetëm me bukuritë e saj, por edhe me mundësitë që iu ofron për të investuar këtu”, theksoi kryeministri./ata