Norma e interesit të kredisë për bizneset ka shënuar një rritje të lehtë, gjatë tremujorit të dytë të këtij viti. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, interesi për kreditë e reja në lekë për bizneset, rezultoi në 6.8% nga 6.6% që ishte në tremujorin e parë dhe 6.7% vitin e kaluar. Interesat janë rritur lehë tek të treja kategoritë ndonëse ishte kategoria e kredive mbi 140 mln lekë ajo që ndikoi më shumë në muajt e fundit. Interesi mesatar për këto kredi arriti në 6.7% në tremujorin e dytë, nga 6.5% dhe 6.1% në tremujorët paraardhës.

Kategoria e kredive me shuma deri 35 mln lekë, e cila përafron biznesin e vogël, ka regjistruar rritje minimale por të vazhdueshme që prej tremujorit të fundit të vitit të kaluar. Interesi për këtë kategori shënoi 7.7% në këtë tremujor. Kostoja e financimit për likuiditet afatshkurtër ka rezultuar në rritje ku interesat për overdraft dhe kapital qarkullues në tremujorin e dytë rezultuan 6.4% nga 6% në tremujorin e parë dhe 6.3% vitin e kaluar.

Në anën tjetër, norma e interesit për kreditë në euro të bizneseve, në tremujorin e dytë rezultoi në 7%, në të njëjtin nivel me tremujorin e parë dhe më lart se 6.6% e gjysmës së dytë të vitit të kaluar. Analiza sipas madhësisë së kredisë evidenton se krahasuar me tremujorin e parë interesat janë ulur lehtë tek kreditë për shuma deri 250 mijë euro, (7.1% nga 7.2%). Rritjet e normës bazë të interesit nga Banka Qendrore Europiane, vitin e kaluar, janë reflektuar plotësisht tek interesat e kredisë në euro tek bizneset.

Nën trysninë e shtuar nga konkurrenca në sistemin bankar, të përkrahura nga pozitat dhe bilancet e shëndetshme të vetë bankave, si dhe të nxitura nga një perspektivë ekonomike pozitive, bankat kanë ofruar kushte kreditimi më të lehtësuara për bizneset. Në vija të përgjithshme përqasja e bankave në kreditimin e bizneseve gjatë gjysmës së parë të vitit 2024 është më akomoduese nga ajo e vërejtur në gjysmën e dytë të vitit 2023./Scan