Prezenca e OSBE-së në Shqipëri njoftoi sot, në Ditën Ndërkombëtare të Qenve, përfundimin e fazës së projektimit për rindërtimin e Institutit të Përgatitjes së Qenve të Policisë së Shtetit, konkretisht të klinikës veterinare dhe mjediseve për qentë.
Prezenca e OSBE thekson se, rindërtimi është pjesë e përpjekjeve të vijueshme për përmirësimin e infrastrukturës, kapaciteteve dhe burimeve të Institutit në zbulimin e armëve të paligjshme të zjarrit, municioneve dhe eksplozivëve.
Më tej, Instituti do të pajiset me mjete trajnimi dhe makina të specializuara, ndërsa stafi teknik po trajnohet për praktikat më të mira ndërkombëtare.
Rindërtimi i Institutit dhe veprimtaritë gjithëpërfshirëse, që synojnë përmirësimin e kapaciteteve dhe aftësive të Policisë së Shtetit, janë pjesë e projektit “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta”.
Projekti zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe Francës./ata