Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, priti sot në Kryesinë e Kuvendit, Tanja Fajon, zëvendëskryeministre dhe ministre për Punët e Jashtme dhe Evropën të Sllovenisë dhe delegacionin që e shoqëronte, e cila po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Në takim ishin të pranishme edhe kryetarja e Komisionit për Punët e Jashtme të Kuvendit, Mimi Kodheli, dhe kryetarja e Komisionit për Çështjet Evropiane, Jorida Tabaku.

Kryeparlamentarja Spiropali vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve tona, të cilat vijojnë të zhvillohen mbi bazën e miqësisë, interesit të dyanshëm, partneritetit në NATO, përshpejtimit të rrugëtimit evropian të Shqipërisë si edhe bashkëpunimit për avancimin e nismave rajonale.

Shqipëria i është mirënjohëse Sllovenisë për mbështetjen e fuqishme të anëtarësimit në BE si edhe të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, theksoi ajo.

Ne jemi të vendosur drejt perspektivës evropiane dhe nuk kemi asnjë alternativë tjetër, u shpreh Spiropali.

Në këtë çështje mazhoranca dhe opozita janë në një proces bashkëpunimi në strukturat e Kuvendit, Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian dhe Komisionin për Çështjet Evropiane, shtoi ajo.

Spiropali theksoi se, “mbështetja e Sllovenisë për zhvillimin dhe bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor është një kontribut për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon e më gjerë”.

“Shqipëria është mirënjohëse për mbështetjen nga Sllovenia të Kosovës dhe rritjes së rolit të saj në organizatat e marrëdhëniet ndërkombëtare”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit.

Kryetarja Spiropali e falënderoi Fajon edhe për kontributin personal në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe të rajonit edhe në kontekstin e grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”.

Kryetarja e Komisionit për Punët e Jashtme të Kuvendit, Mimi Kodheli, dhe kryetarja e Komisionit për Çështjet Evropiane, Jorida Tabaku, nënvizuan kontributin e komisioneve përkatëse në procesin e integrimit evropian.

Zëvendëskryeministrja dhe ministre për Punët e Jashtme dhe Evropën të Sllovenisë, Tanja Fajon, falënderoi Kryetaren Spiropali për vlerësimin e bashkëpunimit dypalësh dhe nënvizoi se, Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor do të vijojnë të kenë mbështetjen e vendosur të Sllovenisë drejt anëtarësimit në BE.

Ne duhet të shfrytëzojmë momentumin gjeostrategjik për integrimin e vendeve të rajonit dhe pranimi i vendeve si Shqipëria do ta bëjë BE më të madh dhe më të fortë, theksoi ajo.

Parlamentet kanë një rol kyç në procesin e anëtarësimit dhe bashkëpunimi i të gjitha grupeve parlamentare është i domosdoshëm dhe i rëndësishëm, tha Fajon./ata