Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani deklaroi sot se qeveria shqiptare është e vendosur të përmbushë standardet e larta për anëtarësim në Bashkimin Europian duke ruajtur vrullin e reformave.
Në një deklaratë të përbahskët për shtyp me zv.kryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Europiane të Sllovenisë, Tanja Fajon, ministri Hasani vlerësoi se “Sllovenia është avokate e fuqishme për perspektivën tonë evropiane dhe të rajonit”.
Hasani u shpreh se “Fajon është përkrahëse e palëkundur e integrimit tonë në Bashkimin Evropian”.
“Vizita e sotme shënon një moment të spikatur në marrëdhëniet tona dypalëshe, të cilat janë bazuar përherë në respekt e mirëkuptim të ndërsjellë dhe bashkëpunim të ngushtë, si dy vende mike e aleate. Sllovenia ka qenë dhe mbetet një model për ne, jo vetëm si vendi në rajon që u integrua më shpejt nga të tjerët në Bashkimin Europian, por edhe për zhvillimet demokratike dhe konsolidimin e institucioneve të shtetit të së drejtës”, tha Hasani.
Duke informuar mbi takimin dypalësh me Fajon, ministri Hasani u shpreh se përveç çështjeve dy dhe shumëpalëshe, një vend të veçantë zuri rrugëtimi ynë drejt Europës së bashkuar.
“Përgjatë gjithë këtij harku kohor, Shqipëria ka hedhur hapa të rëndësishëm në përmbushjen e reformave të domosdoshme. Qeveria shqiptare ka punuar fort për zbatimin e reformave të kërkuara për anëtarësimin në BE, veçanërisht në fusha të tilla si reforma në Drejtësi, ku vetingu i gjyqtarëve e prokurorëve dhe krijimi i institucioneve të reja të drejtësisë, janë hapa pozitivë, ndërkohë që zbatimi i plotë dhe i qëndrueshëm është një faktor thelbësor. Lufta kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka shënuar një përparim të dukshëm në këtë drejtim, ku nuk mungojnë rastet e profileve të lartë dhe të një sistemi drejtësie të pavarur dhe efikase”, theksoi ai.
Sipas kryediplomatit shqiptar, arritjet në këto fusha bëjnë që progresi ynë të jetë i prekshëm dhe i dukshëm.
“Qeveria dhe institucionet janë të përkushtuara për të ruajtur vrullin në përpjekjet tona për reforma dhe për të garantuar që Shqipëria të vazhdojë të përmbushë standardet e larta të kërkuara për anëtarësim. Ndërtimi dhe rritja e kapaciteteve të institucioneve është një tjetër fokus kyç. Ne po investojmë në trajnime dhe burime për të siguruar që institucionet tona mund të zbatojnë dhe monitorojnë në mënyrë efektive politikat dhe rregulloret që lidhen me BE-në”, tha Hasani.
Në këtë drejtim, ministri vlerësoi se Sllovenia ka qenë një avokate e fuqishme për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ka dhënë një shembull frymëzues për reformat e suksesshme që një vend mund të bëjë për t’u integruar në familjen evropiane.
Kjo mbështetje, sipas tij, ka qenë vendimtare për ne, ndaj jemi të vendosur që të vazhdojmë në këtë rrugë me përkushtim dhe vendosmëri.
“Dua të shpreh mirënjohjen për kontributin e Sllovenisë, jo vetëm në drejtim të Shqipërisë, por edhe për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ta siguroj atë që anëtarësimi në BE mbetet prioriteti ynë strategjik”, shtoi ai.
Duke u ndalur te marrëdhëniet dypalëshe, Hasani tha se ato janë në një nivel shumë të mirë.
“Ne jemi të angazhuar për t’i thelluar edhe më tej ato, duke eksploruar mundësi të reja bashkëpunimi në fusha si ekonomia, arsimi, kultura, dhe mbrojtja. Marrëveshja e nënshkruar para pak ditëve ndërmjet dy ministreve të Bujqësisë, nxit e mundëson rritjen e bashkëpunimit dhe sigurisë ushqimore. Së afërmi do të nënshkruhen dhe një memorandum në fushën e turizmit dhe një protokoll ndërmjet ministrive të arsimit për bashkëpunim në fushën e arsimit, të cilët do të kontribuojnë në zhvillimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë”, shtoi ministri.
“Vlerësimi ynë i përbashkët është se ka ende mjaft për të bërë sidomos në fushë të shkëmbimeve tregtare, investimeve, por edhe në sektorë si shëndetësia, turizmi, arti e kultura. Përfitoj nga rasti të theksoj se kompanitë sllovene janë të mirëpritura për të ardhur e investuar në Shqipëri. Këtu kam parasysh jo vetëm kapitalet financiare, por edhe kulturën e punës e seriozitetin e tyre në kësi angazhimesh”, tha Hasani./ata