Për kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha fitorja e Donald Trump në SHBA ka një rëndësi të jashtëzakonshme në Shqipëri, pasi ndaj opozitës shqiptare u bë një grusht shteti.
FJALA E BERISHËS
Mirëdita dhe ju përshëndes përzemërsisht ju, udhëheqësve të PD në qarqet e vendit. Përshëndes drejtuesit e kësaj partie në mbarë vendin, anëtarët, mbështetësit tanë.
Kërkova këtë mbledhje me ju në një moment shumë të veçantë. Në një moment kur në arenën ndërkombëtare kanë ndodhur ndryshime të një rëndësie të jashtëzakonshme.
Rikthimi i presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë përbën rikthimin më të madh, më të rëndësishëm me votën e lirë në të gjitha kohërat.
Natyrisht kjo është për qytetarët e SHBA, por edhe për aq sa ky vend i madh ndikon në vendet e lira në botë.
E vërteta është se për ne shqiptarët, përveç kombeve që përjetojnë lufton, agresionin rus siç është Ukraina, kjo fitore ka një rëndësi më të jashtëzakonshme se kudo tjetër, pasi Shqipëria u shndërrua si asnjë vend tjetër në eksperimentin tragjik të doktrinës së Xhorxh Sorosit.
Në Shqipëri, njëlloj edhe ndonjëherë më fort, apo pas SHBA, drejtësia në ndërhyrjen direkt të kësaj monstre të njerëzimit, u shndërrua në një armë politike të ekzekutivit.
Në Shqipëri, me mbështetjen direkte të përfaqësuesve, të atyre që duhet të përfaqësonin kombin amerikan, por në të vërtetë përfaqësonin më shumë Xhorxh Sorosin, u instalua narkoshteti dhe u vendos persekutimi i hapur i opozitës.
U krye grushti i shtetit ndaj opozitës shqiptare dhe këtu më lejoni të bëj një sqarim, kur themi grushti i shtetit ndaj opozitës, ndaj Shqipërisë ç’është e vërteta, askush nuk duhet të harrojë se çdo vend ka sovranitetin e tij të jashtëm që lidhet me respektimin e integritetit territorial, por ka sovranitetin e brendshëm që lidhet me pushtetin e qytetarëve.
Dhe kur një vendi i sulmohet për të shkatërruar opozitën dhe për të kaluar të gjithë pushtetin në duart e Edi Ramës, kjo përbënte një grusht shteti ndaj këtij vendi nga një vend mik, aleat, udhëheqës i NATO-s./OraNews