Në prag të protestës së 7 tetorit, ai lë surprizë skenarin, por thotë se do të përdoret çdo mjet i mos-bindjes civile.
“Qytetarët ditën e hënë, ora 18:00 do të tregojnë guximin dhe do të shprehin revoltën e tyre me të gjitha mjetet e mosbindjes civile. Beteja jonë nuk ndalet gjer në krijimin e qeverisë teknike.”, tha Berisha.
Përveç aferës “Partizani”, prej të cilës Sali Berisha ndodhet në arrest shtëpie, SPAK tashmë në duar edhe një provë të fortë në hetimin e “21 janarit” si krim të pazbardhur shtetëror, urdhrin e pretenduar të drejtuesit të gardës për të qëlluar me plumba realë mbi protestuesit.
Edhe 13 vite më pas, Berisha i qëndron akuzave ndaj Edi Ramës, në atë kohë lider i opozitës në protestë e sot kryeministër.
“21 janari u ndërtua mbi një mashtrim, falsifikim dhe etje gjakësore për pushtet të Edi Ramës dhe bandës së tij.”
Sot në opozitë, e në prag të një proteste të paralajmëruar, Sali Berisha thotë se 7 tetori nuk do të ketë asgjë të ngjashme me 21 janarin, edhe pse thotë se do të përdoret çdo mjet i mos-bindjes civile.
“Ajo që qytetarët do bëjnë ditën e hënë, do të tregojnë guximin, do shprehin revoltën e tyre me të gjitha mjetet e mosbindjes civile. Pra, paralelizma, e para shkon drejt të shkuarës, kjo e dyta shkon drejt të ardhmes”
Ndër të tjera Berisha ka pasur një mesazh për Policinë e Shtetit.
“Mjerë ai që provokon qytetarët. Ky është mesazhi ynë për çdo narkokomisar, narkopolic apo narkoqeveritar”, u shpreh kreu i PD-së, Sali Berisha.
Në konferencë online, Berisha komentoi edhe refuzimin e institucioneve të drejtësisë për ekspertë te Komisioni “Xhafaj”, situatë pas së cilës tha se sheh një luftë klanesh për të treguar në dukje pavarësinë nga Edi Rama./Shqiptarja