Aktivistja amerikano-hebreje dhe bashkëthemeluesja e organizatës kundër luftës CodePink, Medea Benjamin, ka bërë thirrje për t'i dhënë fund mbështetjes së SHBA-së për Izraelin, duke e quajtur situatën në Gaza "gjenocid".
Duke folur përpara premierës së dokumentarit TRT World “Shëlbimi i Shenjtë” (Holy Redemption), i filmuar në territoret e pushtuara palestineze, aktivistja Benjamin kritikoi veprimet e vazhdueshme izraelite në Gaza dhe Bregun Perëndimor.
Benjamin e përshkroi situatën në Gaza si një përpjekje sistematike për të eliminuar popullsinë palestineze, duke e cilësuar atë si "gjenocid" dhe "spastrim etnik". Ajo argumentoi se sulmet izraelite nuk janë thjesht një konflikt, por një fushatë e qëllimshme për ta bërë jetën e papërballueshme për palestinezët, duke i detyruar ata të largohen nga atdheu i tyre.
Aktivistja kritikoi gjithashtu mbështetjen e palëkundur të qeverisë amerikane për Izraelin, duke e quajtur atë një tradhti të vlerave amerikane.
Ajo theksoi se teksa disa politikanë amerikanë kanë filluar të vënë në dyshim këtë mbështetje, shumica vazhdon të mbështesë Izraelin pavarësisht mizorive që po kryhen. Benjamin bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të dërgesave të armëve amerikane në Izrael, duke theksuar se është koha për të ndaluar financimin e gjenocidit me dollarët e taksapaguesve amerikanë.
Për më tepër, Benjamin shprehu skepticizëm për mundësinë që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu të mbahet përgjegjës për veprimet e tij, duke përmendur tendencën e shteteve të fuqishme për t'iu shmangur përgjegjësisë për krimet e luftës.
Megjithatë, ajo theksoi rëndësinë e vazhdimit të luftës për drejtësi dhe mbajtjen e Netanyahut dhe administratës së tij përgjegjës për veprimet e tyre kundër popullit palestinez.
Benjamin vlerësoi gjithashtu Türkiye për lidershipin e saj në çështjen e Gazës dhe mbështetjen për çështjen palestineze në OKB.
Ajo u bëri thirrje organizatave dhe lëvizjeve globale të bëjnë presion ndaj qeverive për të ndërprerë lidhjet tregtare dhe ushtarake me Izraelin dhe për të mbështetur Lëvizjen e Bojkotit dhe Sanksioneve si një mjet për të nxitur një zgjidhje reale që u jep palestinezëve të drejtat e tyre për sovranitet dhe barazi.
Benjamin tha se shpreson që Türkiye do të vazhdojë të luajë një rol neutral si ndërmjetës, në kontrast me qëndrimin e hapur të njëanshëm të SHBA-së./aa