Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ndau sot disa nga momentet e Konferencës së Ambasadorëve “Diplo 2024”, ku theksoi ai sot do të diskutohet mbi gjeopolitikën në rajon dhe forcimin e diplomacisë në funksion të turizmit, ekonomisë dhe kulturës.
Në datat 26-28 gusht 2024, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme organizon Konferencën e Ambasadorëve “Tirana Diplo 2024” ku përveç ambasadorëve dhe krerëve të posteve konsullore, janë të ftuar personalitete të shtetit shqiptar dhe të huaj.
Konferenca e Ambasadorëve është një takim i rëndësishëm i Shërbimit të Jashtëm shqiptar, i cili ofron një mundësi për të paraqitur prioritetet që do të orientojnë punën e misioneve diplomatike dhe posteve konsullore të RSH në botë.
Konferenca e Ambasadorëve u rikthye pas tetë vitesh, ku përgjatë tre ditëve të zhvillimit në Tiranë do të diskutohet mbi sfidat dhe mundësitë e diplomacisë shqiptare, si dhe strategjitë e Shqipërisë mbi sigurinë, gjeopolitikën e rajonit, ekonominë, turizmin, kulturën, dhe prioritetin kryesor, integrimin në Bashkimin Europian.
Kryediplomati Igli Hasani ka theksuar se, kjo konferencë vjen në një moment kyç – jo vetëm për shkak të angazhimeve gjithnjë e më të rëndësishme të diplomacisë shqiptare – por edhe ndërsa ndërmarrim hapa konkretë për një shërbim të jashtëm gjithnjë më modern e dinjitoz, përfshirë një Ligj të ri për shërbimin e jashtëm dhe ringritjen e Akademisë Diplomatike.
Ministri Hasani ka falënderuar Kryeministrin Edi Rama, për përkushtimin e tij ndaj politikës sonë të jashtme, si dhe të ftuarën e nderit në sesionin e hapjes së Konferencës, homologen e tij sllovene Tanja Fajon, një mike e vendit tonë dhe mbështetëse e fortë e integrimit evropian të Shqipërisë dhe rajonit./ata