Këshilli për Legjislacionin po zhvillon sot një mbledhje jashtë sesionit parlamentar, për të shqyrtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes së Partisë Socialiste, Olta Xhaçka.
Mbledhja e Këshillit për Legjislacionin vjen pas kërkesës së Partisë Demokratike për të thirrur mbledhjen urgjente të Kuvendit në një seancë të jashtëzakonshme lidhur me vendimin e Kushtetueses për mandatin e Olta Xhaçkës.
Në fillim të mbledhjes, kryetarja e Këshillit të Legjislacionit Dhurata Çupi paraqiti raportin, ku theksoi se “Kuvendi ka detyrimin që të votojë për dërgimin e këtij mocioni në Gjykatën Kushtetuese, si mënyra e vetme për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe mënyra e vetme e zgjidhjes së këtij konflikti kompetencash”.
“Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin se duhet të vendosë dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pa vonesa, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj kushtetuese”, tha Çupi.
Sipas saj, “Kuvendi nuk ka hapësirë për interpretimin e normave kushtetuese, pasi nuk është në pozitat e interpretuesit të parë dhe origjinal të tyre, për sa kohë që për çështjen konkrete është shprehur Gjykata Kushtetuese”.
“Gjykata Kushtetuese në vendimmarrjen e saj ka konstatuar se mocioni i jo më pak se 1/10-ës së deputetëve plotëson kriteret juridiko-formale për vënien e saj në lëvizje nga Kuvendi, ndaj ky i fundit nuk ka pasur hapësirë për të vlerësuar sërish ato”, shtoi Çupi.
Nga ana e saj, deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka propozoi që ky këshill t’i rekomandojë kryetares së Kuvendit përfshirjen në rendin e ditës të seancës më të afërt plenare të projektvendimit.
“Ky këshill duhet t’i propozojë kryetares së Kuvendit ta përfshijë këtë vendim në rendin e ditës së seancës plenare më të afërt, kjo duke ju referuar vetë arsyetimit të Gjykatës Kushtetuese. Nuk ka munguar ndonjëherë vullneti dhe impenjimi për të ekzekutuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk është vënë ndonjëherë në diskutim. Propozimi ynë është që projektvendimi t’i kalojë seancës plenare me arsyetimin që ka vetë Gjykata Kushtetuese”, tha Bushka.
Kryetari i Grupit të PD-së Gazment Bardhi u shpreh në fjalën e vet se mazhoranca ka sfiduar Gjykatën Kushtetuese dhe shtetin ligjor. Sipas tij, refuzimi i Kuvendit për zbatimin e vendimit të Gjykatës ka çuar në krijimin e një krize kushtetuese që cenon themelet e shtetit demokratik, humb besimin e publikut tek shteti dhe vendos në diskutim edhe vetë rolin e Gjykatës Kushtetuese.
“Gjykata Kushteteuse e detyron Kuvendi e Shqipërisë për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të Olta Xhaçka dhe për pasojë Kuvendi ka detyrimin që të votojë menjëherë për dërgimin e këtij mocioni në Gjykatë. Pretendimi i mazhirancës që deputetët janë të lirë të votojnë si të duan është antikushtetuese. Deputetët nuk janë mbi Kushtetutën dhe ligjin”, tha ai./ata