Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësimin për zhvlerësimin historik të euros gjatë kësaj vere, duke theksuar se, ky fenomen nuk lidhet me faktorët tradicionalë ekonomikë si turizmi apo bujqësia.
Sipas Tabakut, raportet e INSTAT-it dhe Ministrisë së Financave tregojnë se i vetmi sektor me rritje ekonomike është ndërtimi, një sektor që po përfiton nga investimet e huaja direkte, të cilat në të shumtën e rasteve kanë shkuar në blerjen e pasurive të patundshme.
Tabaku shprehet se, ky zhvillim tregon për pastrimin e parave në sektorin e ndërtimit, një fenomen që nuk reflekton interesat e qytetarëve të ndershëm dhe nuk kontribuon në zhvillimin e ekonomisë reale.
Tabaku thekson se prodhuesit shqiptarë dhe fermerët po ndëshkohen, pasi zhvlerësimi i euros i ka bërë produktet shqiptare më të shtrenjta jashtë vendit, duke i dalë kështu jashtë funksioni tregut të brendshëm.
“Por nga ana tjetër po ndikon dhe po penalizon ato që ndershmërisht punojnë me punën e tyre. Prodhimi sot është duke u penalizuar. Produktet shqiptare të fermës dhe bujqësisë sot janë duke u penalizuar sepse shiten jashtë më shtrenjtë dhe praktikisht ka nxjerrë çdo gjë jashtë funksioni në tregun e brendshëm. Ekonomia shqiptare vetëm si rezultat i kësaj sot mbështetet tek importi dhe produktet e importeve”, shton ajo.
Deputetja kërkon një model ekonomik të ri, që shpërndan pasurinë në të gjitha nivelet dhe nuk mbështetet vetëm në sektorin e ndërtimit, që sipas saj është bërë qendër e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
“Ne duhet të sjellim një model ekonomik i cili e shpërndan pasurinë në të gjitha nivelet ndërkohë kjo që po ndodh është e fokusuar tek pastrimi parave dhe korrupsioni. Asnjë vlerë për qytetarët dhe asnjë vlerë për bizneset e ndershme”, nënvizon Tabaku./ata