Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se janë duke u trajtuar 15 modelet evropiane të ofruar nga Bashkimi Evropian për krijimin në Kosovë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kurti, gjatë një vizite në Kamenicë më 13 mars, nuk deshi të përmendte modelet që BE-ja u ka ofruar autoriteteve të Kosovës, por tha se disa janë më të hershme, e disa edhe rishtazi, që përdoren në shtetet evropiane ku jetojnë pakica kombëtare.
“Unë besoj se ato janë modele nga të cilat ne do të mund të marrim elemente në mënyrë që jo vetëm të drejtat e njeriut, por edhe të drejtat e pakicave kombëtare të jenë në nivelin e duhur edhe në vendin tonë. Ato po trajtohen nga këshilltarët e mi, nga disa prej ministrave në mënyrë që ta shohim se çka është më e favorshme. Natyrisht, kushtetutshmëria, ligjshmëria, barazia, funksionimi i shtetit janë diçka me të cilat ne nuk bëjmë asnjëherë askund kompromis”, tha Kurti për gazetarët.
Në fillim të marsit, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, deklaroi se ekzistojnë disa modele ekzistuese funksionale për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ai tha se këto modele për të drejtat e minoriteteve janë në përputhje me standardet evropiane.
Çfarë parasheh Asociacioni?
Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.
Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.
Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.
Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.
Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.
Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për themelimin e Asociacionit, më 2013 dhe 2015. Por, më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit, e arritur po atë vit, nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit. Kushtetuesja tha se këto pika mund të harmonizohen.
Kurti, edhe në kohën kur ishte në opozitë, ka kundërshtuar themelimin e Asociacionit, duke argumentuar se kundërshton asociacione njëetnike me kompetenca ekzekutive.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë insistuar që Kosova të themelojë Asociacionin, dhe si Brukseli, ashtu edhe Uashingtoni kanë thënë se nuk duan që Asociacioni t’i ngjasojë entitetit të Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë.
Kurti pritet të zhvillojë rundin e ri të bisedimeve me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars. Në këtë takim pritet që palët të diskutojnë për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve.
“Para të shtunës ne do ta dimë agjendën dhe pikat më përmbajtjesore se çfarë do të diskutohet atje. Në kuadër të negocimit të planit për zbatimin e marrëveshjes tashmë të dakorduar sipas propozimit evropian, pa u ndryshuar asgjë”, tha Kurti.
Palët janë pajtuar se nuk ka nevojë që për këtë propozim – që Kosovës dhe Serbisë u është dorëzuar vitin e kaluar – të ketë negociata shtesë.
Propozimi synon që t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e raporteve.
Në këtë dokument prej 11 nenesh – që është bërë publik nga Bashhkimi Evropian më 27 shkurt – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.
Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.
Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011. Tani për tani të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale. Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi./ Radio Evropa e Lirë