Zona e ish-Parkut në njësinë nr.7 në Tiranë, po i nënshtrohet rehabilitimit përmes projektit: “Fondi komunitar”, i cili ka si qëllim riparimin e fasadave dhe ndërhyrje të brendshme.

 

Kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë, Aldrin Dalipi inspektoi sot nga afër punimet në këtë bllok pallatesh.

 

“Fondi komunitar i bashkisë së Tiranës, në dispozicion të banorëve, mundëson aplikimin për të rregulluar dhe izoluar fasadën e pallateve sipas standardeve më të mira, ndërhyrje të brendshme si në rastet e mungesës së ashensorëve, për energji të rinovueshme, për panele diellore etj, për të cilat bashkia paguan gjysmën e investimit”, u shpreh ai.

 

Gjithashtu, informoi Dalipi, me propozim të kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj, Këshilli Bashkiak përfshiu në paketën mbështetëse të bashkisë dhe pagesën për banorët pensionistë, ata me aftësi të kufizuar dhe me ndihmë ekonomike.

 

“Në zonën e ish-Parkut po zhvillohet një projekt i tillë i mirëpritur nga komuniteti. Kërkesat vijojnë dhe bashkia Tiranë do vazhdojë të mbështesë projekte të tilla që ndikojnë në rritjen e cilësisë së jetës”, theksoi më tej ai.

 

Përmes projektit të Bashkisë së Tiranës, qytetarët mund të aplikojnë për të përfituar nga “Fondi i Komunitetit”, ku 50% të vlerës e paguan bashkia dhe 50% mblidhen nga kontributet e banorëve./ATSH