14 Marsi shënon Ditën e Verës, një festë popullore për të gjithë shqiptarët . Kjo ditë festohet në të gjithë vendin por kryeqendra është qyteti i Elbasanit, ku ka një traditë të hershme me ballokumen, ëmbëlsirën tradicionale.

 

Ndërkohë sikurse është bërë traditë, edhe Tirana do të festojë Ditën e Verës. Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh, të cilat do të nisin që në orët e para të ditës dhe do të përfundojnë vonë pas mesnate.

 

Në sheshin ‘Skënderbej’ do të performojë ansambli i Tiranës dhe ai kombëtar. Do të ketë këngëtarë e Dj, mes tyre edhe këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Enisa.

 

Sheshi “Nënë Tereza” do të jetë i dedikuar për aktivitetet sportive ku do të luhen futboll, basketboll, tenis e shumë sporte të tjera.

Tek parku i liqenit për fëmijët do të jetë cirku i Tiranës, banda e qytetit e do të zhvillohen lojra argëtuese.

 

Ndërsa në orët e pasdites do të ketë koncert festiv për të gjitha moshat.

 

Ndërkaq për të garantuar mbarëvajtjen e këtyre aktiviteteve Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka marrë masat për kufizimin e qarkullimit të automjeteve në disa prej rrugëve, ku janë planifikuar zhvillimi i aktiviteteve.

 

Kështu, sheshi “Nënë Tereza” do të jetë i bllokuar që prej orës 07:00 të ditës së hënë deri në orën 18:00 të datës 14 mars. Edhe në rrugën ‘Ibrahim Rugova” bllokimi nisë që prej të hënës në orën 12:00 dhe do të vijojë deri në orën 23:00 të së martës.

 

Po ashtu do të jetë i bllokuar prej së martës në 8 të mëngjesit e deri në orën 16:00 Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe rrugët që lidhen me të.