Ilirjan Celibashi do të vendosë të martën për regjistrimin e Partisë Demokratike si subjekt zgjedhor në vendoret e 14 majit.

 

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve do të zhvillohet mbledhja në orën 16:00.

 

 

Ndërkohë, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike në KQZ, në një deklaratë për mediat i ka bërë thirrje kryekomisionerit që të dalë me një vendim përfundimtar për regjistrimin e PD-së në këto zgjedhje.

 

Indrit Sefa, duke iu referuar edhe vendimit të marrë sot nga KAS, solli në vëmendje se që prej orës 10.00 të datës 11 mars, komisioneri Celibashi është në shkelje të afateve për të marrë një vendim të tillë dhe për rrjedhojë, shtoi ai, po shpërdoron detyrën.

 

“Po cënon PD dhe po shkel afatet proceduriale të parashikuar në Kodin Zgjedhor. Të ndalohen shkeljet e këtyre dispozitave, të marrë në shqyrtim çështjen e PD në kohë sa më të shkurtër. Komisioneri ka mbajtur qëndrime politike, jashtë procedurës ligjore dhe nuk është në funksionin e tij si institucion i pavarur për të garantuar zgjedhjet. Komisioneri ka disa orë që e ka në tavolinë vendimin e KAS,” deklaroi Sefa.

 

I pyetur se cili do të jetë reagimi i grupimit të Alibeajt nëse Celibashi i qëndron kërkesës për firmën e Bashës, Sefa theksoi se dokumentacioni i dorëzuar prej tyre është i plotë dhe se do të ndiqen të gjitha hapat ligjorë për regjistrimin e PD-së si subjekt zgjedhor.