Ndryshimet në legjislacion pritet t’i hapin rrugë ndërtimit të centraleve diellore fotovoltaike dhe atyre të erës, në territoret që përdoren për kullotjen e bagëtive.
Deputetja e Partisë Socialiste, Edona Bilali ka depozituar në Kuvend kërkesën për ndryshim në projektligjin “Për fondin kullosor”, ku shtohet lejimi i veprimtarive që lidhen me prodhimin e energjisë së rinovueshme e që aktualisht janë të ndaluar për t’u zhvilluar brenda këtyre sipërfaqeve.
Ndryshimi i propozuar bazohet në kërkesat e bëra për ndërtimin e parqeve fotovoltaike dhe eolike në fondin kullosor.
“Është konstatuar në disa raste se lloji i pasurisë ku është propozuar të zhvillohen këto veprimtari është i tipit kullotë, ndërkohë që legjislacioni në fuqi për kullotat nuk e ka parashikiuar aktualisht ushtrimin e kësaj veprimtarie”, thuhet në relacion.
“Kjo, nisur edhe nga fakti që ky ligj është hartuar që në vitin 2007 dhe duhet të përshtatet me zhvillimet e fundit në ekonominë shqiptare, me qëllim rritjen e prodhimit të energjisë elektrike në burime alternative”, thuhet më tej në relacion./ata