Kryediplomati turk Hakan Fidan tha se Türkiye dhe Azerbajxhani do të vazhdojnë të mbështesin njëri-tjetrin "si në kohë të mira, ashtu edhe në të këqija".

“Të dy vendet kanë vepruar gjithmonë në kuptimin 'një komb, dy shtete'. Ata do të vazhdojnë të qëndrojnë së bashku si në kohë të mira, ashtu edhe në të këqija”, tha Fidan në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij azerbajxhanas Jeyhun Bayramov në kryeqytetin Ankara.

Fidan tha se Türkiye dhe Azerbajxhani kanë një marrëdhënie vëllazërore të ndërtuar mbi historinë, kulturën, gjuhën dhe identitetin e përbashkët, marrëdhënie e cila është unike në botë.

“Në përputhje me këtë mirëkuptim, Türkiye qëndroi në mënyrë të palëkundur pranë vëllait të saj, Azerbajxhanit, gjatë pushtimit të padrejtë të Karabakut për më shumë se 30 vjet dhe do të vazhdojë të qëndrojë fort në krah të saj”, shtoi ai.

Ai tha se përpjekjet për avancimin e marrëdhënieve Ankara-Baku, të cilat u ngritën në nivelin e aleancës me Deklaratën e Shushës të nënshkruar nga presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev më 15 qershor 2021, po vazhdojnë pa ndërprerje.

“Ne diskutuam në mënyrë gjithëpërfshirëse marrëdhëniet ndërmjet vendeve tona vëllezërore dhe shkëmbyem mendime të hollësishme sot në takimin tonë. Jemi të kënaqur me ecurinë e marrëdhënieve tona ekonomike. Teksa avancojmë bashkëpunimin tonë në sektorin e energjisë, ne po punojmë në bazë të interesave të përbashkëta dhe një strategjie holistike”, shtoi Fidan./aa