Një skemë mashtrimi për përvetësimin e një automjeti luksoz me vlerë 200 mijë euro është goditur nga policia e komisariatit nr.1 në Tiranë.

Policia bën të ditur se në pranga ka rënë 38 vjeçari Elvis Kosova, banues në Tiranë, dhe një shtetas turk, Yucehan Er.

Fillimisht një turk ka marrë një Audi me qira në Gjermani dhe më pas ka bërë kallëzim të rremë se ia kanë vjedhur në afërsi të një hoteli në Tiranë. Nga verifikimet ka rezultuar se ai ia ka dhënë automjetin shtetasit Elvis Kosovës dhe ka bërë kallëzim të rremë për vjedhjen e tij, për qëllime përfitimi.

Gjatë kontrollit në oborrin e një banese në fshatin Prush, u gjet i parkuar automjeti tip “Audi”. Pas zbulimit të kësaj skeme mashtrimi, policia ka arrestuar turkun dhe Elvis Kosovën ndërsa ka shpallur në kërkim 20 vjeçarin, i cili kishte fshehur automjetin në oborrin e banesës së tij.

Vis Kosova është një personazh i njohur në mediat sociale për shkak të makinave luksoze që ai posedon dhe pjesëmarrës në shumë gara me makina./Tema