Ditën e sotme një qytetar shqiptar nga Tirana, është shpallur fitues i llotarisë ndërkombëtare të organizuar nga linja ajrore Wizz Air. Pirro Çajupi ka fituar midis mijëra pjesëmarrësve të tjerë, 20 mijë euro të cilat do t’i shfrytëzojë për rreth 200 destinacione.

Në një ceremoni të organizuar në Aeroportin e Tiranës, z. Pirro Cajupi i është dorëzuar çeku prej 20 mijë eurosh i cili do të përdoret për fluturimet që ofron linja ajrore. Z. Cajupi shprehu kënaqësinë e tij dhe të familjarëve të cilët do të kenë mundësinë të fluturojnë ne 200 destinacione.

Piervittorio Farabbi, Drejtori Operacional i Aeroportit Nënë Tereza, shprehu kënaqësine që kjo llotari ndërkombëtare u fitua nga nje pasagjer shqiptar. Ai tha se do të ketë shumë zhvillime në këtë aeroport në muajt në vijim.

“Në emër të TIA-s shpreh kënaqësinë që ky çmim erdhi në Tiranë. Aeroporti i Tiranës është kthyer në një qendër rajonale, me destinacione të shtuara direkte dhe nje fluks të jashtëzakonshëm pasagjerësh. Ne ju ofrojmë pasagjerëve shërbime të një cilësie të lartë dhe po punojmë për shtimin e kapaciteteve të aeroportit, falë investimeve të Kastrati Group.”

Menxherja e Komunikimit të kompanisë Wizz Air Valeria Bragarenko, i fton qytetarët të udhëtojnë sa më shumë me kompaninë që ofron një numër të lartë destinacionesh.

“Jam shumë e lumtur të festojmë së bashku, ku fituesi ynë është shtetas shqiptar dhe ka në dispozicion fluturime me vlerë 20.000 euro. Nga shqipëria kemi 50 destinacione. shpresojmë që jo vetëm fituesi ynë të fluturojë me ne por të gjithë klientët tanë të dashur.”

Falë investimeve të Kastrati Group, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është shndërruar në një qendër të rëndësishme rajonale për pasagjerët që udhëtojnë nga e gjithë bota.

Aeroporti i Tiranës ka mirëpritur miliona udhëtarëve përgjatë vitit dhe pritet që deri në fund të 2024ës, të tejkalojë shifrën e 10 milionë pasagjerëve./Tema