Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta  uroi sot të gjithë nxënësit dhe mësuesit për fillimin e vitit të ri shkollor, veçanërisht vogëlushët që ulen sot për herë të parë në bankat e shkollës.

Në një postim në rrjetet sociale Meta uroi edhe prindërit për një vit sa më të suksesshëm për fëmijët e tyre dhe u garantoi siç u shpreh ai, se sakrificat për t’u mundësuar arsim cilësor do t’u shpërblehen një ditë.

Meta theksoi se “ky vit e gjen arsimin edhe më të rrënuar, më të politizuar dhe më të braktisur se kurrë”.

“Sot në shkolla ka më shumë patronazhistë se mësues dhe më shumë banka bosh sesa nxënës për shkak të axhendës antikombëtare të shpopullimit. Ka mijëra fëmijë që për shkak të varfërisë e kanë të pamundur të shkojnë në shkollë, ndërkohë që miliona euro vidhen për godina që ndërtohen më shtrenjtë se në BE, por që nuk kanë mjete mësimore bashkëkohore, laboratorë dhe palestra”, u shpreh Meta.

Meta tha se “për Partinë e Lirisë, arsimi është një kryeprioritet kombëtar”.

“Ne besojmë se investimi më madhor për të ardhmen e Shqipërisë është pikërisht investimi në arsim, si zgjidhja më e mirë për të ndalur shpopullimin. Do të dyfishojmë pagat e mësuesve, do të reformojmë sistemin arsimor dhe niveli i buxhetimit në arsim do të jetë 5% i Prodhimit të Brendshëm Bruto. Duke ringritur arsimin do të ringremë Shqipërinë”, tha Meta./ata