Shefi i Bashkëpunimit të Delegacionit të BE-së, Hubert Perr dhe Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Shqipëri, Monica Merino, ishin në Devoll për të parë nga afër ndikimin e projekteve të financuara nga BE-ja, tek të rikthyerit dhe grupet në nevojë në këtë bashki.

Perr dhe Merino gjatë kësaj vizite takuan edhe kryetarin e Bashkisë së Devollit, Eduard Duro, teksa takuan gra të rikthyera nga emigracioni, gra rome, që falë mbështetjes së projektit kanë hapur një biznes social.

Me financim nga BE në kuadër të projektit rajonal “Forcimi i sistemeve kombëtare dhe lokale për të mbështetur integrimin efektiv socio-ekonomik të të kthyerve në Ballkanin Perëndimor” tashmë ato prodhojnë ushqime tradicionale dhe sapunë të bëra nga mbetjet e vajit të ullirit duke krijuar kështu të ardhura të qëndrueshme për familjet e tyre.

“Pamë nga afër qendrën komunitare të mbështetur nga PNUD, e cila ofron shërbime thelbësore sociale të integruara për grupet në nevojë. Takuam gjithashtu një grup të rinjsh, të cilët janë trajnuar si guida turistësh, të cilët po promovojnë shtigje të reja në Devoll. Kjo nismë synon të përmirësojë turizmin lokal dhe të krijojë mundësi punësimi përmes trajnimesh profesionale”, u shpreh Merino.

Vizituam gjithashtu, tha ajo, Stacionin Turistik të Devollit, i cili ka rigjallëruar Bashkinë e Devoll, duke shfrytëzuar trashëgiminë e pasur kulturore dhe potencialin e saj për turizëm.

“Vizituam Sinicën, ku eksploruam Kishën dhe Ujëvarën e Sinicës. Shtigje te reja të ndërtuara falë projektit, e kanë bërë rrugën më të lehtë drejt këtyre vendeve të mrekullueshme natyrore.

Falë mbështetjes nga Bashkimi Evropian , ne po transformojmë jetën e të rikthyerve në Devoll”, u shpreh përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Shqipëri, Monica Merino./ata