Parku Kombëtar i Tomorit dhe mali i Dajtit ishte ndalesa e radhës e nismës “10 parqe në 10 ditë”, një mundësi për të shenjuar të gjithë bashkë Ditën e Maleve të Pastra.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale momente nga pastrimi i parkut dhe mali i Dajtit nga mbeturinat e hedhura pa kriter nga vizitorët.

“Aktivitetet e pastrimit  të nismës “10 parqe në 10 ditë” të cilat kanë vijuar në Parkun Kombëtar të Tomorit dhe atë të Dajtit  ku stafeve të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura u janë bashkuar që nga ekipet e bashkisë deri tek banorët e vizitorët duke bërë një punë shumë të mirë”, tha Kumbaro.

Në kuadër të ditës Ndërkombëtare të Maleve të Pastra, këtë vit po zbatohet një nismë e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe drejtorive të saj rajonale që synon pastrimin e parqeve kombëtare nga datat 22 deri më 31 gusht.

Nën moton “10 parqe në 10 ditë” synohet jo vetëm pastrami i zonave që mbrohen si parqe kombëtare apo natyrore, por edhe promovimi edhe më tej i Shqipërisë nga Alpet e veriut deri në Llogora./ata