Qeveria e Kosovës vendos rritjen e pagës minimale bruto në 350 euro. Vendimi u njoftua nga kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e ekzekutivit. Sipas tij, niveli i pagës minimale do të jetë i çliruar nga tatimi.
“Me hyrjen në fuqi të ligjit për pagën minimale më në fund u hap rruga që edhe zyrtarisht të rritet paga minimale pas një pritje prej 13 vitesh. Ndërkaq sot do të shqyrtojmë propozimin që niveli i pagës minimale të jetë 2 euro për dy orë punë të rregullt apo 350 euro bruto në muaj për punë me orar të plotë. Paga minimale do të jetë e liruar nga tatimi. Kjo është rritja e dytë e pagës minimale brenda këtij mandati qeverisës”, tha Kurti.
Ndërkohë, ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se niveli i ri i pagës minimale do të fillojë të zbatohet nga muaji tetor.
“Përcaktimi i pagës së re minimale tashmë është bërë për orë pune, si dhe nëse kjo përkthehet me orar të plotë, atëherë rezulton me pagë mujore 350 bruto dhe do të filloj së zbatuari deri në tetor. Arsyeja është që kompanitë të arrijnë të përshtatin listat e pagave. Në mënyrë që ky vendim të zbatohet në plotni, do të sigurohemi përmes kontrolleve rutinore, apo përmes kontrolleve se vendimi i ri për pagën minimale nuk po zbatohet”, ka thënë ai.
Sipas Muratit, nëpërmjet këtij vendimi hiqet diskriminimi për grup moshat./Scan