Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se autoritetet janë duke kryer punët e shtëpisë sa i përket planit për hapjen e Urës mbi Ibër në Mitrovicë.

Në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, kryeministri ka thënë se çështjen e hapjes së Urës mbi Ibër e ka diskutuar në takimet që ka pasur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vizitat që janë bërë në Kosovë javëve të fundit.

“Jemi duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme dhe punët tona të shtëpisë, si për shembull trajtimi i draftit preliminar për qëndrueshmërinë e urës teksa presim raportin final dhe deri te përgatitjet për rregullimin e pamjes dhe mjedisit rrotull. Hapja e urës është liri e lëvizjes e liria e lëvizjes është e drejtë themelore si në Republikën e Kosovës si në BE”, ka thënë ai.

Kurti po ashtu ka thënë se në vizitën në SHBA ditë më parë ka bërë thirrje që të shtohet trysnia mbi Serbinë për ta dorëzuar tek autoritetet e Kosovës, Milan Radoiçiqin, që ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, në të cilin u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku./BalkanWeb