Në ditën e dytë të konferencës “Diplo 2024” për ambasadorët, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ishte pjesë e panelit të titulluar “Hapësira shqiptare në gjeopolitikën e rajonit”.

Gjatë diskutimit, Ministri Hasani theksoi vlerësimin dhe respektin e qeverisë shqiptare për rolin e shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor. Ai theksoi se shqiptarët janë faktorë dhe aktorë proaktivë në zhvillimin dhe zbatimin e politikave, si në nivel lokal ashtu edhe në atë rajonal.

Hasani shpjegoi se Tirana nuk ndërhyn në çështjet e brendshme dhe dialogun e shqiptarëve kudo që ndodhen, dhe ka për qëllim angazhimin dhe diskutimin me ta për integrimin euroatlantik. Ai theksoi se të gjitha forcat politike shqiptare kanë kontribuar në zhvillimin dhe integrimin e shoqërive të tyre në familjen evropiane.

Në vijim, kryediplomati shqiptar njoftoi fillimin e një projekti nga MEPJ për krijimin e një departamenti të ri që do të merret ekskluzivisht me çështjet që ndërlidhen me shqiptarët në rajon. Ky departament do të adresoje çështjet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Kosovë, dhe Mal të Zi, me qëllim përmirësimin e përfaqësimit dhe angazhimit të Shqipërisë në këto realitete.

Në panel morën pjesë gjithashtu Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor i RMV, Izet Mexhiti; Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj; Doktori i Shkencave të Historisë në Universitetin e Prishtinës, Ibrahim Gashi; dhe Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Nevzad Lutfiu. Ky i fundit vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë dhe Kosovës dhe bëri thirrje për zhvillimin e një strategjie kombëtare që adreson interesat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Konferenca ka përfshirë gjithashtu diskutime mbi rolin e diplomacisë në zhvillimin e turizmit, promovimin e kulturës, dhe hapat e ndërmarrë nga Shqipëria në çështjet e sigurisë./BalkanWeb