Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shqyrtojë sot pasdite afatet procedurale për zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Himarës që do të mbahen më 4 gusht, sipas dekretit të Presidentit Bajram Begaj të datës 5 korrik 2024.

Sipas projektvendimit, fushata zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Himarë është parashikuar të fillojë më datë 26 korrik 2024 dhe përfundon 24 orë përpara datës së zgjedhjeve.

Regjistrimi i partive politike do të duhet të realizohet brenda datës 15 korrik, koalicionet kane afat deri me 19 korrik dhe kandidatët deri më 22 korrik.

Sipas projektvendimit, fushata zgjedhore do të nisë më 26 korrik.

Po ashtu, në projektvendimin që do të miratohet sot, bëhet me dije se “afatet proceduriale të reduktuara në kohë kushtëzojnë datën 15 korrik 2024 si fillimin e detyrimit të Bashkisë Himarë, institucioneve të saj të varësisë si dhe institucioneve publike qendrore, organeve të tyre të varësisë dhe degëve të tyre vendore, si dhe agjencive dhe/ose ndërmarrjeve shtetërore, për të raportuar në KQZ, të gjitha veprimtaritë me karakter publik që planifikojnë të zhvillojnë nga periudha 15 korrik 2024 deri ditën e zgjedhjeve. Për shkak të afateve proceduriale të reduktuara në kohë, raportimi duhet të kryhet jo më vonë se tre ditë përpara afatit të planifikuar për zhvillimin e veprimtarisë. Në të njëjtën datë fillon edhe monitorimi nga Autoriteti i Mediave Audiovizive i OSHMA-ve për veprimtaritë me karakter publik të institucioneve publike.

Po ashtu, KQZ ka saktësuar se kryetari i njësisë së qeverisjes vendore cakton dhe shpall vendndodhjen e qendrës së votimit jo më vonë se 30 ditë nga dekretimi i datës së zgjedhjeve. Për shkak të afateve ligjore shumë të ngushta, Kryetari i Bashkisë në detyrë kushtëzohet të paraqesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, listën e plotë të objekteve të qendrave të votimit që përmbushin kushtet e parashikuara në ligj, jo më vonë se data 12 korrik 2024.

Në të njëjtën datë, Prefekti i Qarkut Vlorë kushtëzohet të paraqesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, listën e plotë të objekteve brenda territorit të Qarkut që përmbushin kushtet e parashikuara në ligj për Vendin e Numërimit të Votave.

Kryetari i bashkisë, në mënyrë të drejtë dhe të paanshme, përcakton vendet publike në territorin e bashkisë përkatëse për afishimin prej partive politike dhe subjekteve zgjedhore të materialeve propagandistike. Duke qenë se afati 30 ditor nga dekretimi i zgjedhjeve është shumë i ngushtë, Kryetarit të Bashkisë në detyrë i lind detyrimi të përcaktojë vendet publike, në territorin e Bashkisë Himarë, për afishimin nga subjektet zgjedhore të materialeve propagandistike, jo më vonë se data 17 korrik 2024.

Për shkak të afateve procedurale të reduktuara në kohë, si vijon përcaktohen afatet për paraqitjen e propozimeve për anëtarë në KZAZ, KQV dhe GNV, si dhe afatet për paraqitjen e kërkesave për regjistrim për subjektet zgjedhore. Data e parashikuar nga administrata/KShZ për miratimin dhe konstituimin e KZAZ është ndërmjet datave 12 -13 korrik.

Në projektvendim parashikohet se, për partitë politike të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë/sekretar në KZAZ, duhet të sjellin propozimet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, jo më vonë se data 11 korrik 2024.  Duke qenë se ligji nuk ka një afat për paraqitjen e propozimeve/kandidaturave për anëtarë në KQV, është përcaktuar se ato duhet të paraqiten nga partitë politike të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë në KZAZ, jo më vonë së data 15 korrik 2024. KZAZ-ja i miraton jo më vonë se data 20 Korrik.

Projektvendimi, në zbatim të kësaj dispozite ka përcaktuar së partitë politike të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë në GNV duhet t’i depozitojnë kandidaturat në KZAZ, jo më vonë së data 23 korrik 2024, ndërsa KZAZ i miraton jo më vonë se data 25 Korrik./ata