Raportohet se 7 palestinezë kanë vdekur dhe spitalet në qytetin Tulkarm janë rrethuar në sulmet "në shkallë të gjerë" të nisur nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Në lajmin e televizionit shtetëror izraelit KAN, thuhet se ushtria nisi një "operacion në shkallë të gjerë" në veri të Bregut Perëndimor.
Thuhet se forcat izraelite të sigurisë ndërmorën veprime të njëkohshme në qytetet Jenin dhe Tulkerim në Bregun Perëndimor dhe se helikopterët luftarakë dhe mjetet ajrore pa pilot (UAV) u aktivizuan për të mbështetur Forcat Tokësore.
Në deklaratën me shkrim të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, thuhet se në bastisjen e kryer nga ushtarët izraelitë në qytetin e Jeninit, 2 persona mbetën të vrarë dhe 3 të plagosur.
Sipas lajmit të agjencisë zyrtare palestineze WAFA, ushtria izraelite ka hyrë në qytetin e Jeninit me një numër të madh mjetesh të blinduara dhe është vendosur pranë spitalit Ibn Sina.
Ushtria izraelite shënjestroi një automjet me një raketë të lëshuar nga një UAV në jug të qytetit të Jenin. Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze deklaroi se në automjetin në fjalë gjetën trupat e pajetë të 3 personave.
Forcat izraelite hynë në qytetin Tulkarm në veri të Bregut Perëndimor nga perëndimi, bastisën spitalet në qytet dhe i rrethuan ato. Ushtarët izraelitë penguan ambulancat të funksiononin dhe kontrolluan disa prej tyre.
Pati një sulm me një UAV edhe në kampin e refugjatëve Nur Shams në Tulkarm. Raportohet se kishte njerëz të plagosur si pasojë e sulmit, por ambulancat nuk mund të hynin sepse Izraeli kishte rrethuar zonën.
Ushtria izraelite, e cila gjithashtu bastisi kampin e refugjatëve Faria në qytetin Tubas në veri të Bregut Perëndimor, vazhdon fluturimet e saj intensive në rajon me UAV.
Nga sulmi i kryer me UAV në kampin e refugjatëve Faria u tha se 2 të rinj humbën jetën dhe disa u plagosën dhe se ekipet e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze kishin vështirësi në arritjen e të plagosurve në rajon për shkak të izraelitëve.
Ushtarët izraelitë bastisën gjithashtu shtëpitë palestineze në qytetin Qalqilya të Bregut Perëndimor.
Ndërkohë, edhe grupet e rezistencës palestineze kanë deklaruar se kanë hyrë në përleshje me ushtarët izraelitë.
Numri i palestinezëve që humbën jetën në sulmet e ushtarëve izraelitë dhe izraelitëve që uzurpuan tokat palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor është rritur në 659 që nga 7 tetori 2023.
Që nga 7 tetori 2023, kur ushtria izraelite nisi një sulm në Rripin e Gazës, ka pasur një rritje të ndalimeve, bastisjeve dhe sulmeve kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor./aa