Diplomacia kulturore ishte në fokus të panelit të fundit të Konferencës së Ambasadorëve “Diplo 2024”.

Të ftuar në këtë panel ishin Lira Pipa, zëvëndësministre për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Lea Ypi, shkrimtare dhe pedagoge e teorisë politike në London School of Economics, Matteo Mandala, profesor i letërsisë shqipe dhe drejtues i njësisë shkencore të albanologjisë në Universitetin e Palermos dhe tenori i mirënjohur shqiptar

Ramë Lahaj.

Ky panel shërbeu si një platformë për ambasadorë, artistë dhe përfaqësues të diasporës për të ndarë përvojat e tyre të suksesshme dhe për të diskutuar mënyrat se si kultura mund të jetë një pjesë e fuqisë së butë të një kombi.

“Ky event na kujtoi edhe një herë se sa e rëndësishme është të investojmë në diplomacinë kulturore dhe të ndërtojmë ura të reja mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve”, thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme./ata