Ministri Për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani deklaroi sot në një bashkëbisedimin me gazetarët se, Konferenca e Ambasadorëve “Diplo 2024” u organizua në një stad të ri dhe të rëndësishëm.
Hasani veçoi dy momente të rëndësishme që janë anëtarësimi i Shqipërisë në BE dhe axhenda 2030 dhe momenti i mirë i vendit në turizëm e ekonomi. Sipas tij, këto kërkojnë që edhe angazhimi i përfaqësuesve tanë nëpër botë të jetë maksimale.
Hasani tha se Shqipëria është në fazën përgatitëse për organizmin e Samitit të NATO-s në 2027-ën në Tiranë.
“Logjika është që vitin e ardhshëm samiti i ardhshëm do të zhvillohet në Holandë, dy vjet më pas në Turqi dhe në 2027-ën është Tirana që do ta mirëpresë këtë event të rëndësishëm”, informoi ai
“Ne jemi në fazën e përgatitjeve të brendshme. Pra kemi filluar identifikimin e ambienteve, fondeve, njerëzve, gjithë burimet e nevojshme që bëjnë këtë të mundur dhe padyshim që një angazhim i tillë përveç rëndësisë së madhe të simbolikës që ka tregon dhe njëherë që Shqipëria është një partner i rëndësishëm dhe një aleat i domosdoshëm në të gjithë përpjekjen e organizatës së Atlantikut të Veriut për atë që ndodh sot dhe sidomos me fokus në zhvillimet e fundit”, tha Hasani.
Ministri Hasani theksoi se në vitin 2025 do të mbahet në Tiranë mbledhja e Komunitetit Politik Evropian.
“Formula është që Komuniteti Politik Evropian mblidhet 2 herë në vit, njëherë në një vend të BE, një herë në një vend jo të BE-së. Mbledhja e radhës u zhvillua në Mbretërinë e Bashkuar, në fund të vitit do të zhvillohet në Hungari dhe vitin tjetër do të vijë në Shqipëri”, tha Hasani.
“Janë të gjithë këto formate të cilat neve na bëjnë më të përgjegjshëm në të gjithë angazhimet që ne marrim. Më të drejtpërdrejtë në nevojat që kemi dhe në kërkesat që bëjmë, por dhe rrisim vizibilitetin dhe rëndësinë e rajonit nga ne vijmë. Pra nuk është vetëm një përpjekje dhe një angazhim i Shqipërisë, por ne përpiqemi t’i japim vizibilitetin e nevojshëm të gjithë rajonit ku ne jemi”, tha Hasani.
Hasani foli edhe për ligjin e ri të shërbimit të jashtëm.
“Kemi miratuar një strukturë të re të MEPJ që ka elementë të rinj dhe kryesisht gjëja më thelbësore në strukturën e re është krijimi i një drejtorie që do të përgjigjet, do të merret do të angazhohet ekskluzivisht me të gjithë shqiptarët që janë në rajon”, tha ai.
Hasani foli edhe për hartën dhe kompozimin e përfaqësive diplomatike nëpër botë.
“Ne jemi të mirëpërfaqësues në kontinentin evropian, por kishim disa boshllëqe dhe mangësi, të cilat duhet t’i mbushim sa më shpejt dhe zhvillimet e menjëhershme janë hapjet e ambasadave në Indi, Indonezi dhe Kenia, por dhe vazhdimi i punë për të krijuar një hartë më të ri në vitet në vazhdim dhe identifikimin e vendeve ku duhet të jemi të pranishëm”, u shpreh Hasani./ata