Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali përkujtoi sot në 185-vjetorin e lindjes Abdyl Frashërin.

“Kujtojmë kontributin e vyer politik të njërit prej ideologëve më të denjë të Rilindjes Kombëtare”, u shpreh Spiropali.

“Guxoj të pohoj se ndër vëllezërit Frashëri dhe rilindasit e tjerë, Abdyli ishte i pari që e ktheu ideologjinë rilindase në projektin e parë politik pas epokës së Skënderbeut, duke i dhënë jetë Lidhjes së Prizrenit”, theksoi kryeparlamentarja.

Spiropali nënvizoi se, “Besëlidhja e Lezhës dhe Lidhja e Prizrenit, ngjarje kjo e fundit aq hijerëndë sa që Atë Gjergj Fishta i thuri lavde te “Lahuta e Malcisë,” janë të vetmet projekte politike reale shtetformuese para Pavarësisë së Shqipërisë”.

“Si Kryetare e Kuvendit, e ndjej si përgjegjësi morale dhe politike të përkujtoj Abdyl Frashërin, i cili i dha jetë sytheve të para të historisë parlamentare shqiptare”, u shpreh Spiropali.

“Kujtoj me respekt të thellë një detaj që duket se ka ndjekur si peshë kryqi të gjithë politikanët e mëdhenj idealistë shqiptarë: persekutimin e ashpër. Në pranverën e vitit 1881, kur osmanët shtypën Lidhjen e Prizrenit, ai u arrestua dhe më vonë u internua, derisa ndërroi jetë në vitin 1892. Burra të tillë shteti japin përherë mësimin se çdo reflektim ideologjik mbetet i përtharë përderisa nuk shndërrohet në veprim politik. Mirënjohje gjithmonë”, përfundoi Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali./ata