“Pas një pune të gjatë e të kujdesshme restauruese, zëvendësimit pjesëz pas pjesëze me të njëjtat materiale të 40 viteve më parë, përuruam mozaikun-simbol të Muzeut Historik Kombëtar”, shkruan ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në rrjetet sociale, një ditë pas prezantimit të mozaikut të restauruar.

 

Margariti ka kujtuar edhe artistët vepër e të cilëve është mozaiku: Vilson Kilica, Anastas Kostandini, Aleksandër Filipi dhe Josif Droboniku.

 

“Tashmë “Shqipëria” sheh sërish krenare mbi sheshin Skënderbej”, ka shkruar ministrja Margariti, ndërsa kujtoi se kjo ngjarje e madhe që mbylli një punë voluminoze mundësuar nga EU4CULTURE, shënoi edhe çeljen e një tjetër programi siç janë Javët Kulturore Ndërkombëtare.

 

JKN nisën me javën e Bashkimit Europian, në çeljen e së cilës ishte e pranishme edhe ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann, përfaqësues të trupave diplomatike në Tiranë, UNOPS e qytetarët që iu bashkuan festës./ATSH