Sot festohet Dita e Verës. E quajtur ndryshe si dita e largimit të dimrit, kjo festë ka krijuar tashmë traditën e saj, jo vetëm tek banorët e qytetit të Elbasanit, por edhe në qytete të tjera të vendit dhe veçanërisht në Tiranë.

 

Në këtë ditë të shënuar, Elbasani kthehet në qendër të festimeve me aktivitete të larmishme, nga ekskursionet në natyrë, deri tek dreka e begatshme familjare, ku nuk mungojnë ballokumet.

 

Zanafillën “Dita e Verës” e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës.

 

Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e saj ditën e 14 marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore, është një ditë, e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit. Kushdo që do të kalojë këto ditë pranë Elbasanit do të ndjejë aromën ndjellëse të ballokumeve.

 

Ballokumet janë ëmbëlsira tradicionale e kësaj feste. Në Elbasan gatuhen vetëm në këtë ditë. Kjo i bën ato edhe më të veçanta. Janë ëmbëlsirat që gatuhen me miell misri të situr mirë, gjalpë dhe sheqer të imët.

 

Gjithashtu një detaj i kësaj feste është edhe vendosja në dorë e “verores”, një byzylyk prej fijesh të bardhë dhe të kuqe që lidhet në kyçin e dorës dhe zgjidhet kur të shihet dallëndyshja e parë. Në disa krahina, veroret varen në degë pemësh, kryesisht dafinash, që dallëndyshet t’i marrin e të sjellin mbarësi.

 

– Shpati në Ditën e Verës –

 

Në zonën tradicionale malore të Shpatit, rreth 22 kilometra larg Elbasanit, festa niste me një ekskursion shpateve të malit të Bukanikut, ku të rinjtë që një ditë më parë përgatisnin shilarset e sheshe për lodra të ndryshme, ku merrnin pjesë me kënaqësi jo vetëm mosha e re, por edhe burra e gra të moshuar.

 

Kjo ditë e 14 marsit, që ndryshe quhej “dita e luleve”, gjithnjë shoqërohej me bisqe të gjelbëruar drurësh apo lule të hershme. Dreka e bollshme me mish gjahu shtrohej kolektivisht, pas së cilës, u mbetej fëmijëve për ta mbyllur festën me trokitje nëpër dyer të fshatit, ku gostiteshin me vezë, pala fiku, fruta të ruajtura për këtë ditë. Vitet kaluan dhe kjo festë pak nga pak i humbi disa nga veçoritë e saj. Së fundmi ajo ka mbetur si festë e fëmijëve, por që ruan akoma me fanatizëm drekën e bollshme dhe lulet.

 

– Në Shënavlash, festohet me natyrën pranë –

 

Në fshatin Shënavlash edhe sot festa nuk ka humbur asgjë nga tradita. Këtu përgatitjet për këtë festë fillojnë që dy ditë përpara nga fëmijët.

 

Mëngjesi i Ditës së Verës i gjen tërë fëmijët e fshatit grupe-grupe me hithra në duar, duke trokitur derë më derë. Askush nuk kthehet duarbosh. Pjesa ruhet edhe për ndonjë fëmijë që ka munguar. Dhe pasi mbaron riti i fëmijëve, të rinjtë dhe të moshuarit dalin nga shtëpitë dhe urojnë njëri-tjetrin: “Gëzuar Ditën e Verës! Qoftë një verë e mbarë!”.

 

Gratë në këtë ditë as qepin, as bëjnë punëdore me shtiza sepse, siç besohet, janë të mbrojtura nga gjarpri. Dhe 12 ditë pas festës së luleve, fshati feston ditën e Baba Nevruzit, kur nuk pritet asnjë lloj druri, sepse besohet se atë ditë tërë pylli falet./ATSH