Familja e 27-vjeçarit Jani Rustemi, i cili ndërroi jetë në QSUT, ka hedhur dritë mbi të tjera detaje nga ngjarja e rëndë.

 

Lulzim Mehmetaj, kunati i të riut tha se për shtrimin në spital të Rustemit familja e ka marrë vesh 12 ditë më vonë.

Ai tregoi se biseda e fundit që kanë pasur me Rustemin ka qenë dy ditë pas arrestimit nga policia për vjedhjen e një tapeti dhe një palë atlete.

 

“Djali është arrestuar që me datë 12. Ne kemi marrë vesh pas 12 ditësh që është në koma. Dy ditë pas arrestimit na kanë marrë në telefon e na kanë thënë që t’i çojmë pasaportën e Janit. Djali është arrestuar se kishte marrë një tapet e një palë atlete. Na erdhën për kontroll dhe fjala e parë që na thanë ishte  a ka sjellë Jani një palë atlete e një tapet. Vjehrra doli jashtë e i tha Janit “Ça bëre”. Ai uli kokën e më pas e ka marrë policia. Jani nuk ka pas pirë heroinë, pinte hashash dhe kokainë kur kishte mundësinë. Ne fajësojmë shtetin. Ai nuk ishte përdorues heroine, kush ia dha metadonin? I bënë analizat? Vetëm njëherë na kanë lejuar që të prekim djalin, por nuk na kanë lejuar që ta shohim, a kishte shenja dhune apo jo. Komunikimi i fundit me Janin ka qenë vetëm dy ditë pas arrestimit, që ka kërkuar rrobat. Nuk kishim dijeni për seancën që është zhvilluar e asgjë. Pas dy javësh pasi është arrestuar Jani kanë ardhur dy oficerë policie e i  kanë thënë vjehrrës ik se e ke  djalin në spital”- tha ai.

 

Më tej ai nënvizoi se Rustemi ishte arrestuar dy herë të tjera më parë, një herë për vjedhje dhe njëherë për thyerjen e televizionit.

 

“Jani është arrestuar dy herë njëherë se theu televizionin dhe njëherë për vjedhje”- shtoi ai.