Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten, ka takuar ndihmës-Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për operacione, Thomas Goffus, ku ndër temat e diskutuara ka qenë edhe hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve.

Osmani, siç thuhet në një komunikatë për media, gjatë takimit ka përsëritur qëndrimin e saj për hapjen e urës së Ibrit zyrtarit të lartë të NATO-s, porse ka potencuar rëndësinë e “mirëmbajtjes së komunikimit, koordinimit dhe thellimit të bashkëpunimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, për hartimin e një plani të përbashkët të zbatimit për hapjen e urës”.

“Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të vazhdueshëm me NATO-n dhe KFOR-in për adresimin e sfidave në fushën e sigurisë”, ka thënë Osmani gjatë takimit, citohet në komunikatë.

Hapja e Urës, sipas Osmanit, është një veprim në funksion të normalizimit dhe integrimit në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie.

Ndër të tjera gjatë takimit, Osmani ka falënderuar NATO-n “për angazhimin e deritashëm për paqe, siguri dhe stabilitet”.

“Në këtë kontekst ritheksoi objektivin strategjik të Kosovës për integrim në komunitetin euroatlantik, duke shprehur besimin se anëtarësimi në NATO do të kontribuojë për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit”.

Goffus vizitën e tij në Kosovë e nisi me një takim me shefin e Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, Ozkan Ulutas./Albanianpost