Më 24 mars të vitit të kaluar një familje në Zvicër, në Montreux ka humbur jetën duke u hedhur nga ballkoni. Sipas hetimeve të reja të policisë, gjithçka ka qenë e planifikuar nga vetë ata.

 

BBC raporton se dosja e ngjarjes që tronditi Zvicrën tani është drejt mbylljes.

 

Katër pjestarë të familjes vdiqën më 24 mars të vitit të kaluar në Montreux.

 

Një vajzë tetëvjeçare, një djalë 15 vjeç, babai dhe nëna e tyre dhe motra binjake e nënës ranë nga banesa e tyre në katin e shtatë.  Djali ishte në koma, por tani është rikuperuar nga plagët e rënda. Ai nuk e kujton atë ditë, thonë hetuesit.

 

Provat mjeko-ligjore nuk zbuluan asnjë shenjë të një konflikti përpara vdekjes dhe autopsitë nuk treguan asnjë gjurmë droge.

 

Pas një viti hetimi, autoritetet zvicerane tani thonë se nëna e familjes dhe motra e saj ishin thellësisht të përfshira në teoritë e mbijetesës dhe konspiracionit.

 

Pas vdekjeve, policia gjatë kontrollit, gjeti banesën e tyre plot me ushqime, ilaçe dhe materiale higjienike, të ruajtura dhe të organizuara me kujdes. Familja dilte rrallë dhe fëmijët shkolloheshin në shtëpi. Dy gratë kishin një dyshim të thellë ndaj qeverisë dhe autoriteteve lokale, thonë hetuesit, dhe i kishin rritur fëmijët të besonin se bota ishte një vend armiqësor. Pandemia e Covid-19 dhe pushtimi i Ukrainës nga Rusia, kishin shërbyer vetëm për të forcuar bindjen e tyre. Kërkimet në banesë dhe në pajisjet elektronike zbuluan se vetëvrasja kolektive ishte planifikuar me kujdes.

 

Të rriturit me sa duket po prisnin, thuhet në raportin e policisë, momentin e duhur për t’u nisur drejt asaj që ata besonin se do të ishte një botë më e mirë, larg asaj që kishin frikë.

 

Tragjikisht, ajo që duket se ka shkaktuar vendimin e tyre ishte një vizitë sociale nga policia e Montreux. Ata ndaluan atë mëngjes për t’i kujtuar babait që të shkonte në një takim me autoritetet lokale të arsimit për të diskutuar mbi shkollimin në shtëpi të djalit të tij, pasi ai nuk u ishte përgjigjur disa letrave.

 

Ata nuk e lanë policinë të hynte dhe mbetën të vdekur disa minuta më vonë. Të martën, autoritetet zvicerane apeluan për privatësi për djalin e mbijetuar.