Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, njoftoi se do t'u kërkojë ministrave të Jashtëm të bllokut të marrin në konsideratë sanksionet kundër ministrave izraelitë të cilët kanë lëshuar “mesazhe të papranueshme urrejtjeje kundër palestinezëve”.
Përpara se të merrte pjesë në takimin jozyrtar të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel, Borrell në një deklaratë para gazetarëve tha se ai nisi procedurat për të pyetur vendet anëtare nëse ata do të konsideronin "përfshirjen në listën tonë të sanksioneve disa ministra izraelitë" të cilët kanë "propozuar gjëra që qartazi janë kundër ligjit ndërkombëtar" dhe janë një ftesë për të "kryer krime lufte".
Ai u shpreh se BE-ja nuk duhet të ketë tabu për të përdorur mjetet e saj "për të respektuar ligjin humanitar".
Ministrat e Jashtëm të BE-së u mblodhën në Bruksel për një takim jozyrtar për të diskutuar tema globale dhe rajonale, duke përfshirë luftën në Ukrainë dhe situatën në Lindjen e Mesme.
Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Rripin e Gazës pas një sulmi të Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.
Sipas autoriteteve lokale shëndetësore, sulmi ka rezultuar në më shumë se 40.500 palestinezë të vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 93.700 të plagosur.
Një bllokadë e vazhdueshme e Gazës ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, duke e lënë pjesën më të madhe të rajonit në gërmadha.
Izraeli përballet me akuzat për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka urdhëruar ndalimin e operacioneve ushtarake në qytetin jugor Rafah, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim përpara se zona të pushtohej më 6 maj./aa