Në kulmin e sezonit turistik veror, përveç flukseve rekord të hyrjeve të të huajve në vendin tonë, vihet re edhe një tendencë në rritje e shqiptarëve, për të udhëtuar jashtë me automjetet e tyre.
Referuar të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, për periudhën janar-korrik të këtij viti, shqiptarët shpenzuar rreth 1 miliardë lekë për të siguruar mjetin e tyre gjatë udhëtimeve jashtë vendit.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, produkti Karton Jeshil, gjatë këtij 7-mujori pati një rritje prej 1.86% të vëllimit të primeve të shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave u rrit me 20% për të njëjtën periudhë. Çdo drejtues mjeti me targa shqiptare duhet të pajiset me Kartonin Jeshil kur udhëton jashtë vendit.
Por, në anën tjetër vihet re një rënie e numrit të automjeteve me targa të huaja që kanë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Sipas të dhënave të AMF-së, produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar-korrik të këtij viti pati një ulje me rreth 5% të vëllimit të primeve të shkruara bruto, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Edhe numri i kontratave u ul me 5.96%. Nga ky produkt, kompanitë e sigurimeve mblodhën rreth 229.6 milionë lekë, nga 241.6 milionë lekë në 7-mujorin e vitit 2023. Kjo rënie e numrit të kontratave dhe të të ardhurave nga produkti Sigurimi Kufitar, reflekton ngadalësimin e numrit të hyrjeve të shtetasve të huaj, gjatë korrikut në Shqipëri.
Sipas të dhënave të INSTAT, për muajin Korrik të këtij viti, rreth 1.8 milionë shtetas të huaj kanë hyrë në territorin shqiptar, në rritje me 2.7%, krahasuar me një vit më parë, por në ngadalësim të ndjeshëm me rritjen vjetore prej 23.6% në qershor dhe 38% në maj./Scan