Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural vijon punën për disbursimin e Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2024, ku deri më sot janë 49,000 fermerë të financuar me një fond prej 1.7 miliardë lekësh.

Në Skemën Kombëtare 2024 ofrohet mbështetje për tufën bazë të matrikulluar (gjedhë dhe të imta), bletarinë, fermat organike, bimët mjekësore – aromatike, si edhe mbështetje me naftë për punimet e mekanizuara në bujqësi.

Për të përfituar nga masat mbështetëse aplikantët nuk duhet të jenë debitorë ndaj AZHBR, Ministrisë së Bujqësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Duhet të kenë shlyer sigurimet shoqërore në rastin e fermerëve individualë; të ketë tokën në pronësi dhe/ose me qira/huapërdorje për të paktën 5 vjet, duke filluar nga viti i aplikimit; të ketë lejen përkatëse të ndërtimit sipas legjislacionit në fuqi, para lidhjes së kontratës.

Të gjithë fermerët, të cilët kanë një nipt fermeri, shoqëritë tregtare, të cilat janë të angazhuara në këtë sektor dhe shoqëritë e bashkimit bujqësor mund të aplikojnë deri më datën 8.11.2024, sipas njoftimit zyrtar.

Kjo nismë e qeverisë shqiptare, synon zhvillimin e ekonomisë bujqësore dhe modernizimin e kësaj të fundit.

Nga skema e subvencioneve përgjatë vitit 2023 përfituan 65,000 fermerë, ndërsa këtë vit synohet të tejkalohet 70,000 përfitues apo 77% të gjithë fermerëve të regjistruar në vend./Scan