Buxheti për transportin rrugor është rritur me 5.25 mld lekë, pas rishikimit të buxhetit të shtetit për vitin 2024. Sipas tabelave të publikuara në Fletoren Zyratre financimi për këtë program shkon në rreth 29.3 mld lekë, nga rreth 24.1 mld lekë që ishte në buxhetin e ndryshuar në muajin shkurt.
Nga rritja prej 5.25 mld lekë, 4.75 mld lekë janë për shpenzime kapitale apo thënë ndryshe për financimin e projekteve të ndryshme rrugore. Ndërkohë që, 500 mln lekë është rritja për shpenzimet korrente ku futen, pagat, sigurimet apo shpenzime të tjera operative.
Tabela e detajuar me projektet ku do të shkojë ky financim nuk është publikuar. Gjithsesi, në raportin e monitorimit të buxhetit për 4 – mujorin e parë të vitit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë specifikonte se nevojiteshin rreth 2,33 mld lekë shtesë për detyrime të prapambetura të krijuara rishtazi në janar – prill 2024. Paralelisht, për 2 projekte rrugore Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë gati tenderët për fonde shtesë të nevojshme për përfundimin e tyre.
Projekti i parë është rruga Korçë – Ersekë për të cilin do të hapet një tender me fond limit prej rreth 432.3 mln lekë, ndërsa projekti i dytë është Unaza e Madhe e Tiranës, për të cilin do të hapet tenderi me fond limit prej 167 mln lekë për lotin II.
Ndërkaq, ndër projektet e mëdha buxhetuar për sivjet janë tuneli i Llogarasë, rruga Elbasan – Qafë Thanë, pjesë e korridorit 8, si dhe 3 kontratat e partneriteti publik privat për rrugën e Arbrit, rrugën e Kombit dhe aksin Orikum – Dukat./Scan