TEXT SIZE
AaAa
Maturantët që do të studiojnë në programe prioritare mund të mbështeten financiarisht gjatë gjithë viteve akademike por me kusht që pas diplomimit të punojnë tre vite në Shqipëri.
Me vendimin e djeshëm të prezantuar nga Ministrja e Arsimit Evis Kushi studentët që duan të ndjekin këto programe prioritare mund të marrin bursë mujore sa paga minimale që është 40 mijë lekë në muaj.
Për të nxitur maturantët të ndjekin këto programe studimi është vendosur të hiqet dhe kriteri i ruajtjes së notës mesatare
Lista e programeve private është zgjeruar sipas kërkesave të Universiteteve dhe nevojave të vendit.
“Bujqësia, disa inxhinieri, turizmi, mësuesia. Listës së programeve prioritare i janë shtuar arsimi fillor, parashkollor, programin histori gjeografi. Disa programe të inxhinierisë sipas nevojave që kanë universitetet dhe vendi”
Kuotat do të ndahen sipas Universiteteve në varësi të numrit të studentëve dhe programeve në listën prioritare që do të aplikohen në universitetet e vendit.
Me këtë vendim buxheti, do të ndahet me kuota për çdo universitet dhe pastaj janë vetë universitetet nëpërmjet senateve të tyre akademike që numrin total të kuotave që kanë për bursa e ndajnë në programe të ndryshme që janë prioritare sipas nevojave të tyre specifike apo zhvillimeve specifike që kanë zonat ku janë këto universitete. Arsyeja pse është ndërmarrë ky vendim ka për qëllim t’i japë më shumë mundësi universiteteve, kryesisht universiteteve në qytete jashtë Tiranës.