Shoqata Shqiptare e Pasurive të Paluajtshme (NAREA) do të kërkojë që pagesat për ndërmjetësit në transaksionet e shitblerjes së pasurive të paluajtshme të kryhen nëpërmjet llogarive të noterëve. Sipas këtij propozimi, pagesat për ndërmjetësit duhet të kryhet vetëm nëpërmjet noterit, duke i bashkangjitur kontratave të shitblerjeve të pasurive të paluajtshme edhe faturat e shërbimit të tyre.

Sipas NAREA, një praktikë e tillë do të luftonte informalitetin në tregun e pasurive të paluajtshme dhe do të mundësonte gjurmueshëmrinë e palëve të përfshira në një transaksion. NAREA sugjeron që një praktikë e ngjashme të ndiqet për të gjitha tarifat e profesioneve të rregulluara, për shërbimet e identifikuara nëpërmjet një kontrate noteriale.

NAREA vlerëson se tregu i ndërmjetësimit të pasurive të paluajtshme po përballet me informalitet të lartë, në nivele të ndryshme.

Informaliteti mund të jetë i plotë, në rastet kur individë dhe subjekte nuk figurojnë të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe në organet tatimore, si edhe nuk janë të pajisur më dëshminë profesionale, licencën e ndërmjetesit të pasurive të paluajtshme, në mungesë të të cilës ligji ndalon ushtrimin e profesionit.

Në rastin e infomalitetit të pjesshëm, bëhet fjalë për subjekte të ndryshme, që figurojne të regjistruar në organet tatimore të pajisur më NIPT, por personat drejtues apo të tjerë që punojnë në këto subjekte nuk janë të pajisur më licencën profesionale për ushtrimin e profesionit të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme.

Sipas NAREA, informaliteti më i madh zhvillohet kryesisht online, nëpërmjet rrjeteve sociale, faqeve personale, faqeve web të ngritura posaçërisht në funksion reklamimi, marketing, ndërmjetësimi. Individët dhe subjektet që ndërmjetësojnë nuk figurojnë në asnjë dokument ligjor përpara noterit apo ndonjë kontratë ndërmjetësimi midis palëve.

Veçanërisht në vitin e fundit, NAREA vëren se një rritje eksponenciale të individëve dhe agjencive të huajq që ofrojnë për të huajt shërbime ndërmjetësimi pa licencë dhe të paregjistruar, për pronat në bregdet.

Në vitin e fundit, NAREA vëren se përveç transaksioneve me para cash, ka lajmërime dhe marketing për transaksione në asete dixhitale, kriptovaluta dhe të ngjashme me to, të cilat sjellin më shumë rreziqe të lidhur me pastrimin e parave.

NAREA shprehet se ka mbledhur mbi 100 raste të subjekteve që operojnë në informalitet në të gjithë Shqipërinë dhe është duke punuar dhe mbi rastet e tjera për informalitetin në sektor. Rastet janë adresuar për ndjekje pranë Ministrisë së Drejtësisë (MD) dhe Ministrisë së Financave.

NAREA ka kërkuar nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) dhe Ministrisë së Drejtësisë që për çdo biznes me veprimtari për ndërmjetësim në tregun e pasurive të paluajtshme, të vërtetohet licencimi aktiv, para se të kryhet aktivizimi i fushës së veprimtarisë nga QKB./Monitor.al