Shqipëria hyn në skenën botërore të verës si një nga 50 vendimmarrëset e marrëveshjes së themelimit të verës.

Komisioni për Politikën e Jashtme, gjatë diskutimit të projektligjit “Për Aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen për themelimin e Verës (OIV). Zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Enio Civici i pranishëm në komision theksoi se aderimi i Shqipërisë synon të përmirësojë politikat dhe praktikat për prodhimin e produkteve të vreshtarisë sipas standardeve ndërkombëtare.

Civici sqaroi se këto standarde mbulojnë të gjithë procesin e prodhimit
dhe jetëgjatësinë e produktit, nga mbjellja e hardhisë deri tek etiketimi i
kontejnerëve përfundimtarë duke garantuar produkt cilësor.

Gjithashtu, vuri në dukje ai, do të ndërtohen mundësi konkrete për shkëmbime të ndryshme institucionale me vendet pjesëmarrëse dhe do të mundësohet thellimi i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit e përvojave në fushën e prodhimit të produkteve të vreshtarisë.

Civici deklaroi se, Shqipëria do të përfitojë nga informacioni, bashkëpunimi dhe shërbimet e një rrjeti, prej rreth 1 000 ekspertësh.

“Këto lidhje do t’i mundësojnë Shqipërisë të marrë pjesë në vendimet themelore në lidhje me evolucionin e sektorit, mbrojtjen e prodhimeve autentike, ndërkohë që bashkëpunimi i shteteve anëtare brenda organizatës është një faktor kyç për një komunikim më të mirë, legjislacion më efektiv dhe, për rrjedhojë, tregti më transparente dhe frytdhënëse në sektorin e hardhisë dhe verërave”, tha zv.ministri i Bujqësë.

Civici vuri në dukje se, Shqipëria është vendi i 50-të i anëtarësuar në këtë organizatë dhe aktualisht OIV ka hyrë në 100-vjetorin e saj.

Në dekadën e fundit, sektori i verërave në Shqipëri ka pësuar rritje të ndjeshme./ata