Në drejtimin e kryetares, Mimi Kodheli, u zhvillua sot mbledhja e Komisionit për Politikën e Jashtme. Komisioni shqyrtoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin e Bashkimit Evropian “Programin e tregut të përbashkët, për periudhën 2021-2027”.

Projektligji në fjalë u prezantua nga zëvendësministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Endrit Yzeiraj, i cili u shpreh se programi synon të krijojë bashkëpunim dhe sinergji të mëtejshme ndërmjet bizneseve, sidomos në bashkëpunimet e tyre ndërkufitare për të adresuar barriera jotarifore.

“Për shkak të procesit të integrimit të përshpejtuar nga i cili Shqipëria ka filluar të përfitojë që vitin e kaluar, ky program është bërë i hapur dhe për vende të tjera kandidate si Shqipëria. Programi është më shumë se 4 miliardë euro. Shqipëria po aplikon për një nga shtyllat, nxitja e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, më shumë se 1 miliardë euro. Ky program i lejon OJF-ve dhe sipërmarrjeve shqiptare të aplikojnë në thirrje të ndryshme që do ketë deri në fund të vitit 2027. Ndërmarrjet shqiptare mund të përfitojnë trajnime, bashkëpunime me biznese të tjera europiane në fushat e tyre apo mbështetje në forma të ndryshme. Programi adreson prioritetet strategjike të Shqipërisë në kuadër të kapitullit 20 për sipërmarrjet e vogla dhe politikat industriale. Programi në fjalë rrit përfitimin e tregut në Shqipëri”-u shpreh Yzeiraj.

Relatori i çështjes,  Petro Koçi, u shpreh se kjo marrëveshje ndihmon ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, publike ose private. “Kjo është një nga shtyllat e programit të tregut të përbashkët për periudhën 2021-2027. Përfitimet janë të mëdha. Besoj se s’ka asnjë dyshim që duhet të mbështetet kjo nismë në mënyrë konsensuale.”-u shpreh Koçi.

Deputeti i opozitës, Tritan Shehu, gjatë fjalës së tij përpara anëtarëve të komisionit mbështeti gjithashtu këtë nismë ligjore. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë./ata